
Paketa e Maleve, Demo: 32 bashki kanë përcaktuar 272 zona prioritare
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, tha sot se Paketa e Maleve vjen në një moment kur turizmi në vend është në rritje dhe kërkohet shpërndarja e vizitorëve edhe në zonat kodrinore e malore, të cilat kanë potencial të lartë turistik.

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, tha sot se Paketa e Maleve vjen në një moment kur turizmi në vend është në rritje dhe kërkohet shpërndarja e vizitorëve edhe në zonat kodrinore e malore, të cilat kanë potencial të lartë turistik.
Gjatë një interviste televizive, Demo theksoi se përveç turizmit, mbështetje do të ketë edhe për sektorin e bujqësisë, përfshirë ndërtimin e linjave të agropërpunimit dhe strukturave për blegtori.
Ministri theksoi se paketa parashikon edhe incentiva për aplikuesit, ku 500 aplikantët e parë që shpallen fitues do të përfitojnë mbështetje.
Demo theksoi se një pjesë e rëndësishme e nismës është zgjidhja e disa ngërçeve të pronësisë, një nga pengesat kryesore në zhvillimin e këtyre zonave.
“Paketa e Maleve nuk është vetëm për ata që kanë poseduar pronën për mbi 10 vite pa dokumente. Ajo përfshin edhe ish-pronarë të njohur nga komuniteti, të cilët nuk disponojnë tituj pronësie,” u shpreh Demo, duke shtuar se bashkitë kanë rol kyç në verifikimin e këtyre rasteve.
Ministri bëri të ditur se 32 bashki në vend kanë përcaktuar tashmë 272 zona prioritare ku mund të zhvillohen projekte në kuadër të kësaj pakete.
Ai sqaroi gjithashtu se aplikimi bëhet në nivel individual dhe nuk synon grumbullimin e sipërfaqeve të mëdha toke.
“Aplikimi fillon në nivel individual por marrëdhënia sipërmarrëse mes individëve është e drejta e tyre. Këtu nuk bëhet fjalë që ti merr hektarë pa fund në pronësi përmes paketës së maleve. Ti merr pronësinë vetëm të pronës që ke zhvilluar, nuk merr gjithë kodrën e gjithë malin”, u shpreh Demo.
Demo shtoi se Paketa e Maleve nuk merr përsipër të zgjidhë të gjitha çështjet e pronësisë “që mbase kanë 30 vite të mbartura”, por tenton t’i japë zgjidhje disa rasteve për të krijuar “një frymëmarrje ekonomike, sidomos në zonat rurale, në rastet kur nuk ka konflikte me kufitarët e me banorët e tjerë”.
Burimi ATSH


















