
Malaj: Brenda prillit çmimet e reja të referencës së pronave në pjesën tjetër të territorit

Ministri i Financave, Petrit Malaj deklaroi sot se brenda muajit prill pritet të finalizohet procesi për çmimet e reja të referencës së pronave në pjesën tjetër të terrirtorit.
Gjatë një konference për shtyp, Malaj u shpreh se çmimet e reja të referencës për pjesën tjetër të territorit të Shqipërisë janë ende në proces për t’u finalizuar nga grupi i punës.
“Ka një grup pune që ka marrë përsipër ta përfundojë këtë proces brenda muajit prill 2026. Arsyeja pse u shty në kohë me çmimet ishte se si rezultat i punës të bërë nga grupi i punës dolën diferenca të çmimeve që janë të regjistruara pranë zyrave të kadastrës fiskale dhe çmimeve që realisht rezultonin nga kontrollet e ushtruara në terren nga zyrat imobilare”, tha Malaj.
Ministri sqaroi se për shkak të kësaj diference u rimblodh përsëri grupi i punës që të përcaktohej se cilat janë çmimet reale të tregut.
Megjithatë, sipas tij, procesi i rivlerësimit nuk ka përfunduar sepse të gjithë qytetarët edhe në qytete të tjera, mund ta bëjnë rivlerësimin e pronës me vlerësues privat, pra me çmimin real të tregut bazuar në rivlerësimin e një vlerësuesi privat.
Burimi ATSH


















