
Dita Botërore e Teatrit, shtegu pranë Kalasë së Prezës merr emrin e aktores Tinka Kurti
Rruga me kalldrëm që të çon drejt Kalasë së Prezës do të mbajë emrin “Shtegu Tinka Kurti” si shenjë mirënjohjeje për kontributin e jashtëzakonshëm të aktores së madhe shqiptare.

Rruga me kalldrëm që të çon drejt Kalasë së Prezës do të mbajë emrin “Shtegu Tinka Kurti” si shenjë mirënjohjeje për kontributin e jashtëzakonshëm të aktores së madhe shqiptare.
Aktiviteti i përurimit në kuadër të Ditës Botërore të Teatrit mblodhi personalitete të artit e kulturës shqiptare ndërsa ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, e konsideroi këtë një akt nderimi të thellë për një nga ikonat më të mëdha të artit shqiptar.
E pranishme aktorja Tinka Kurti, tashmë në moshën 93-vjeçare, ndjeu dashurinë dhe mirënjohjen e përcjellë nga kolegët dhe dashamirët e mbledhur enkas për të në këtë ditë të veçantë.
“Sot, ky shteg bëhet më shumë se një rrugë, një udhëtim mes historisë, emocioneve dhe madhështisë së një figure që frymëzon breza të tërë”, tha Gonxhja.
Në ceremoni të pranishëm ishin artistë të tjerë të skenës shqiptare, si aktorja Zamira Kita, artistja e humorit shkodran Zyliha Miloti, historiani dhe studiuesi Neritan Ceka, etj.
Me këtë emërtim, shtegu pranë Kalasë së Prezës merr një dimension të ri, duke u shndërruar në një itinerar që ndërthur historinë, artin dhe emocionin, si një homazh i përhershëm për figurën që ka frymëzuar breza të tërë artistësh.
27 marsi është Dita Botërore e Teatrit, e shpallur për herë të parë nga Instituti Ndërkombëtar i Teatrit dhe ekspertët e UNESCO-s në vitin 1962.
Që atëherë, Dita Botërore e Teatrit festohet çdo vit në të gjithë botën
Marrë nga ATSH



















