
Bordi i Transparencës: Çmimi i naftës 203 lekë/litër, benzina jo më shumë se 175 lekë/litër
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj njoftoi sot se, Bordi i Transparencës vendosi që çmimi i shitjes me pakicë i naftës, të jetë jo më shumë se 203 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 191 lekë/litër.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj njoftoi sot se, Bordi i Transparencës vendosi që çmimi i shitjes me pakicë i naftës, të jetë jo më shumë se 203 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 191 lekë/litër.
Në mbledhjen e sotme të Bordit të Transparencës, u diskutua lëvizja e çmimeve në bursën Platts Mediteran ku benzina është ulur me -3.35 $/ton dhe Gazoili është ulur me -7.1 $/ton nga data 25.03.2026, u vendos që çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 175 lekë/litër, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 163 lekë/litër.
“Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot, datë 26 mars, ora 18:30 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes”, tha Ibrahimaj.
Sipas Ibrahimajt, Bordi i Transparencës që në krijimin e tij i është përmbajtur me përpikëri në vendimet e tij lëvizjes së bursës Plats të Mesdheut për gazoilin, benzinën, si dhe faturave zyrtare të operatoreve.
“Theksojmë se Bordi nuk cakton çmimet e naftës bruto, por të gazoilit, benzinës dhe gazit të lëngshëm sipas standardeve të përcaktuara në Aktin Normativ. Bordi ka caktuar vetëm marzhet bruto maksimale për shitjen me shumicë dhe pakicë, me të cilat operatorët duhet të mbulojnë të gjitha shpenzimet operative”, vijoi Ibrahimaj.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, nënvizoi se vendimet që merr bordi dhe ndryshimi i çmimeve të shitjes lidhet vetëm me ndryshimet në bursën Platz të Mesdheut për gazoilin dhe benzinës, pra jo të bursës së naftës bruto, si dhe në lëvizjen e kursit të dollarit.
“Gjithë elementët e tjerë që formojnë çmimin janë fikse dhe për këto Bordi nuk merr vendim”, theksoi ajo.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit së bashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjes së parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.
“Situata që po kalojmë nuk është e zakontë, ndaj dhe vendimet që marrim, vijnë si përgjigje e zhvillimeve të ekonomisë vendase por edhe e lëvizjeve të tregjeve ndërkombëtare”, theksoi Ibrahimaj, ndërsa i tërhoqi vëmendjen çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi.
“Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit. Jemi në monitorim të vazhdueshëm të ecurisë së bursave, me qëllim reagimin sa më të shpejtë”, përfundoi Ibrahimaj.
Burimi ATSH


















