
Hoxha bisedë telefonike me homologun grek: Avancim i projekteve që nxisin marrëdhënie të mira fqinjësore
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha zhvilloi sot një bisedë telefonike me ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Greqisë, George Gerapetritis.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha zhvilloi sot një bisedë telefonike me ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Greqisë, George Gerapetritis.
Ministri Hoxha theksoi në një postim në rrjetet sociale se biseda ishte miqësore dhe e orientuar drejt të ardhmes.
Gjatë bisedës, po ashtu, u rikonfirmua angazhimi për të avancuar marrëdhëniet shqiptaro-greke në një frymë konstruktive, të mbështetur në partneritetin strategjik si aleatë në NATO dhe një perspektivë të përbashkët evropiane.
Hoxha theksoi se, ky shkëmbim ishte një mundësi e vlefshme për të shqyrtuar gjendjen aktuale të marrëdhënieve dhe për të identifikuar mënyra konkrete për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit.
Të dy ministrat ranë dakord mbi rëndësinë e një dialogu politik të qëndrueshëm dhe të orientuar drejt rezultateve, të bazuar në respekt të ndërsjellë dhe partneritet të sinqertë, për adresimin në mënyrë konstruktive dhe pragmatike të çështjeve dypalëshe, si dhe për avancimin e projekteve që nxisin marrëdhënie të mira fqinjësore, ndërlidhjen, kontaktet ndërmjet njerëzve dhe stabilitetin rajonal.
Ministri Hoxha theksoi gjithashtu mbështetjen e vazhdueshme të Greqisë për rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, një qëndrim, theksoi Hoxha, “që ministri Gerapetritis e ka rikonfirmuar vazhdimisht dhe për të cilin shprehim mirënjohjen tonë”.
Në përfundim të bisedës, ministri Hoxha përcolli urimet më të përzemërta me rastin e 205-vjetorit të Ditës Kombëtare të Greqisë.
Burimi ATSH


















