
27-vjetori i ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, Nufi: Moment historik për paqen dhe dinjitetin njerëzor
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi vlerësoi sot, në 27-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi vlerësoi sot, në 27-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, se kjo ndërhyrje ishte moment historik jo vetëm për kombin shqiptar, por edhe për vetë ndërgjegjen e botës demokratike.
Në një postim në rrjetet sociale, Nufi thekson se ndërhyrja e Aleancës ishte një akt vendosmërie për të ndalur një tragjedi humanitare dhe për të mbrojtur dinjitetin njerëzor përballë një regjimi që kishte zgjedhur dhunën dhe shkatërrimin.
Ministri theksoi se, për faktorin shqiptar në rajon, kjo ndërhyrje ishte shumë më tepër se një operacion ushtarak; ishte një kthesë historike që konfirmoi të drejtën për të jetuar të lirë dhe në paqe.
“Ajo dëshmoi se vlerat mbi të cilat ndërtohet bota perëndimore; liria, dinjiteti njerëzor dhe drejtësia, nuk janë thjesht parime të shkruara, por angazhime që mbrohen me vendosmëri, kudo që ato cenohen”, shkruan Nufi.
Ministri vlerësoi se, Kosova dhe institucionet e saj demokratike janë sot garancia më e fortë se vendimi i marrë 27 vite më parë ishte i duhuri. “Me përkushtimin e saj për t’u rritur përkrah aleatëve, ajo meriton të jetë shumë shpejt aty ku i takon – në të gjitha tryezat dhe organizmat e arkitekturës euroatlantike”, shkroi ai.
Nufi u shpreh se, sot, pas 27 vitesh, kjo ngjarje mbetet një kujtesë e fuqishme se paqja nuk është e dhënë, por kërkon përkushtim të vazhdueshëm.
Sipas tij, NATO vijon të jetë garantuesi më i madh i sigurisë dhe stabilitetit, jo vetëm në Ballkan, por në mbarë botën, duke qëndruar në vijën e parë të mbrojtjes së vlerave që na bashkojnë.
Në përfundim, ministri riafirmoi se Shqipëria mbetet e palëkundur në përkushtimin e saj ndaj Aleancës.
“Kontributi ynë në misionet paqeruajtëse dhe në mbrojtjen kolektive është shprehje e qartë e këtij angazhimi dhe e bindjes sonë se siguria është përgjegjësi e përbashkët”, theksoi Nufi.
“Të qëndruarit bashkë, në unitet dhe solidaritet, është garancia më e fortë që tragjedi të tilla ndaj jetës, paqes dhe vlerave perëndimore të mos përsëriten më kurrë”, përfundoi ministri Nufi.
Marrë nga ATSH



















