
Rama: “Territorialen” ta nxjerrim nga guacka e komisionit, të adresojmë rekomandimet e OSBE-ODIHR
Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës në Asamblenë e Përgjithshme të Partia Socialiste theksoi rëndësinë e reformës administrative territoriale, depolitizimit të administratës zgjedhore dhe forcimit të teknologjisë së Kuvendit.

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës në Asamblenë e Përgjithshme të Partia Socialiste theksoi rëndësinë e reformës administrative territoriale, depolitizimit të administratës zgjedhore dhe forcimit të teknologjisë së Kuvendit.
“Kemi përpara një reformë administrative territoriale, e cila nuk mund të qëndrojë e mbyllur në guackën e një komisioni dhe tani ka ardhur koha të diskutohet. Në radhë të parë ta diskutojmë me njerëzit në territor sepse ka shumë nevojë për këtë reformë, por ka edhe shumë fjalë dhe shpifje që kanë nisur të qarkullojnë dhe do të vazhdojnë të shtohen për t’u kundërvënë reformës. Ndërkohë që ne kemi të domosdoshme këtë reformë për 1001 arsye që i duhet bërë me dije publikut”, deklaroi Rama.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e reformës zgjedhore, duke nënvizuar nevojën për depolitizim të plotë të administratës zgjedhore.
“Duam apo nuk duan, duhet të adresojmë rekomandimet e OSBE-ODIHR, por mbi të gjitha duhet të bëjmë depolitizimin e plotë të administratës zgjedhore, sepse është një nga pikat më të turpshme për një Shqipëri që bëhet gati të hyjë në BE. Mbase ka mbetur i vetmi vend në Europë me administratë politike të komisioneve zgjedhore”, u shpreh kryeministri.
Kreu i Ekzekutivit vuri në dukje edhe nevojën për të forcuar Kuvendin në aspektin e teknologjisë dhe sigurisë kibernetike.
“Kemi nevojë të forcojmë Kuvendin në aspektin e teknologjisë. Pavarësisht se sulmi kibernetik ndaj Kuvendit nuk shkaktoi dëme, mbrojtja kibernetike duhet adresuar menjëherë”, deklaroi Kryeministri, duke shtuar se Shqipëria renditet e 9-a në Indeksin Global të Sigurisë Kibernetike falë sistemit të ndërtuar vetë.
Ai njoftoi gjithashtu ngritjen e një komisioni të etikës, i drejtuar nga Lindita Nikolla, i cili gjatë periudhës së ardhshme do të monitorojë fenomenet që duhet luftuar brenda administratës dhe lidhen me suksesin e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.
Kryeministri Rama theksoi se këto reforma synojnë të rrisin transparencën, efikasitetin dhe integritetin e institucioneve, duke përmirësuar funksionimin e Kuvendit dhe duke siguruar pjesëmarrje më të madhe të qytetarëve në vendimmarrje.
Burimi ATSH



















