
Reforma në inspektime, zbatim i standardit unik kombëtar
Inspektorati i Përgjithshëm zhvilloi sot një takim me strukturat qendrore dhe rajonale të Autoriteti Kombëtar të Ushqimit (AKU), në kuadër të vijimit të reformës në sistemin e inspektimeve.

Inspektorati i Përgjithshëm zhvilloi sot një takim me strukturat qendrore dhe rajonale të Autoriteti Kombëtar të Ushqimit (AKU), në kuadër të vijimit të reformës në sistemin e inspektimeve.
Takimi u hap nga Inspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula, i cili theksoi se reforma përbën një proces të domosdoshëm për modernizimin, unifikimin dhe rritjen e efikasitetit të inspektimeve në vend. Ai nënvizoi rëndësinë e ndërtimit të një sistemi të integruar dhe të standardeve të unifikuara, si garanci për trajtim të barabartë të subjekteve dhe për forcimin e transparencës institucionale.
Drejtoresha e Përgjithshme e AKU-së, Blerina Gjylameti, vlerësoi bashkëpunimin ndërinstitucional dhe shprehu angazhimin për harmonizimin e praktikave inspektuese, në funksion të mbrojtjes së konsumatorit dhe garantimit të sigurisë ushqimore.
Gjatë takimit u prezantuan gjetjet nga konsultimet me drejtoritë qendrore dhe problematikat e evidentuara në nivel rajonal, duke theksuar nevojën për një standard unik kombëtar dhe për një qasje të bazuar në risk. Po ashtu, u diskutua për forcimin e koordinimit mes strukturave dhe përmirësimin e mekanizmave të monitorimit të performancës.
Një pjesë e rëndësishme e aktivitetit ishte prezantimi i arkitekturës së sistemit të ri të inspektimeve, i cili parashikon zbatimin e standardit unik kombëtar, inspektimin e bazuar në risk dhe përdorimin e instrumenteve të reja ligjore e teknologjike për rritjen e efikasitetit dhe llogaridhënies.
Reforma në inspektime do të vijojë në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha strukturat përkatëse, me synimin për ndërtimin e një sistemi modern, transparent dhe të besueshëm, në shërbim të qytetarëve dhe biznesit.
Burimi ATSH


















