
Banka Europiane e Investimeve, grant prej 350 mijë euro për Muzeun Historik Kombëtar
Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit nënshkroi me Bankën Evropiane të Investimeve, marrëveshjen për një grant asistence teknike prej 350,000 eurosh.

Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit nënshkroi me Bankën Evropiane të Investimeve, marrëveshjen për një grant asistence teknike prej 350,000 eurosh.
Ceremonia e nënshkrimit u mbajt në Tiranë, në prani të përfaqësuesve të nivelit të lartë të qeverisë shqiptare dhe delegacionit të BEI Globale.

Granti do të mundësojë shërbime këshillimore për restaurimin urban dhe rindërtimin e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, një objekt trashëgimie i Shqipërisë i dëmtuar nga tërmeti i vitit 2019. Granti do të financojë përgatitjen, projektimin dhe rishikimet teknike të projektit, mbikëqyrjen, menaxhimin dhe prokurimin e projektit.
Ministri Gonxhja e cilësoi nënshkrimin e marrëveshjes si, një hap të rëndësishëm drejt restaurimit dhe rinovimit të plotë të Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, duke qene se janë drejt përfundimit punimet e përforcimit dhe rigjenerimit të fasadave, falë financimit nga Eu4Culture të fazës 1, të projektit.
Shërbimet e konsulencës do të sigurojnë që restaurimi i muzeut të përmbushë standardet e larta për efikasitetin e energjisë, qëndrueshmërinë ndaj masave klimatike dhe rehatinë e vizitorëve, duke rritur njëkohësisht integrimin me mjedisin urban përreth. Fondet ndahen në kuadër të Nismës për Rimëkëmbjen Ekonomike të BEI-t, e cila synon të mbështesë rritjen e qëndrueshme, infrastrukturën jetike dhe kohezionin social në vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Kjo nismë plotëson programin EU4Culture dhe do të kontribuojë në rigjenerimin urban dhe rigjallërimin e trashëgimisë kulturore të Shqipërisë. Gjithashtu, nisma do të sigurojë që ky institucion i rëndësishëm kulturor t’i kthehet popullit të Shqipërisë dhe vizitorëve nga e gjithë bota, në lavdinë e tij të plotë, më të qëndrueshëm ndaj fatkeqësive natyrore, më funksional dhe në përputhje të plotë me standardet më të larta ndërkombëtare”, tha përfaqësuesi i BEI-t në Shqipëri, Alessandro de Concini.
Ndërsa ministri Gonxhja tha se, “Me mbështetjen e BEI Globale, përmes këtij financimi, po hyjmë në fazën e dytë të përditësimit të projektit, duke garantuar përgatitjen dhe projektimin teknik të të gjithë rikonstruksionit të brendshëm, rishikimet e detajuara, zbatimin e muzeimit të ri, si edhe mbikëqyrjen dhe menaxhimin profesional të çdo etape të tij”, tha kreu i MTKS, Gonxhja.
Ky proces do të sigurojë që restaurimi e rinovimi të përmbushë standardet më të larta ndërkombëtare të cilësisë, rijetësimit profesional, efikasitetit energjetik dhe qëndrueshmërisë ndaj kushteve klimatike e flukseve vizitore.
Burimi ATSH


















