
Vengu takon komunitetin shqiptar në Hungari: Faktor në marrëdhëniet dypalëshe
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, gjatë një vizite zyrtare në Hungari zhvilloi një takim me përfaqësues të komunitetit shqiptar nga Shqipëria dhe Kosova që jetojnë dhe punojnë në atë vend.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, gjatë një vizite zyrtare në Hungari zhvilloi një takim me përfaqësues të komunitetit shqiptar nga Shqipëria dhe Kosova që jetojnë dhe punojnë në atë vend.
Në ambientet e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Budapest, ministri Vengu u takua me sipërmarrës, mjekë, studentë, punëtorë dhe familjarë, duke vlerësuar rolin dhe kontributin e tyre në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Gjatë bashkëbisedimit, Vengu u shpreh krenar për komunitetin shqiptar në Hungari, të cilin e cilësoi si një përfaqësues dinjitoz të vlerave kombëtare dhe një faktor kontribues në rritjen e sinergjisë mes Shqipërisë dhe Hungarisë.
“Një komunitet që na përfaqëson me dinjitet dhe që është pa dyshim një nga faktorët kontribues në sinergjinë mes dy vendeve tona”, theksoi ministri.
Ai shprehu gjithashtu mirënjohje për ambasadorin e Shqipërisë në Hungari, Ilirian Kuka për ftesën dhe mundësinë për t’u njohur nga afër me përfaqësues të komunitetit shqiptar në Hungari.
Në përfundim, Vengu falënderoi të pranishmit për mikpritjen dhe i inkurajoi ata të vijojnë të promovojnë vlerat shqiptare përmes punës dhe përkushtimit të tyre.
Burimi ATSH



















