Zvicra shpall programin e ri të bashkëpunimit në Shqipëri për vitet 2026–2028

Një program i ri bashkëpunimi zvicerano-shqiptar u lansua sot, me një buxhet prej 58 milionë CHF për të forcuar qeverisjen demokratike, zhvillimin ekonomik dhe shërbimet e infrastrukturës në Shqipëri.


Një program i ri bashkëpunimi zvicerano-shqiptar u lansua sot, me një buxhet prej 58 milionë CHF për të forcuar qeverisjen demokratike, zhvillimin ekonomik dhe shërbimet e infrastrukturës në Shqipëri.

Zvicra dhe Shqipëria lansuan sot një fazë të re të programit të tyre të bashkëpunimit dypalësh për vitet 2026–2028, duke shënuar më shumë se 30 vjet partneritet të vazhdueshëm zvicerano-shqiptar.

Në emër të qeverisë së Shqipërisë, ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali theksoi se, “në këtë kapitull të ri, prioritetet e Shqipërisë janë të qarta. Ne do të vijojmë të mbajmë aktiv dialogun tonë politik, për të fuqizuar më tej aksin e bashkëpunimit Bernë-Tiranë”.

“Bashkëpunimi shqiptaro-zviceran mund të fuqizohet më tej në fusha me interes të përbashkët, si inovacioni, siguria kibernetike, turizmi, arsimi profesional dhe sektorë të tjerë me potencial të lartë. Jam e bindur se ky do të jetë drejtimi ynë i përbashkët”, tha ajo.

Didier Chassot, drejtor i Divizionit të Evropës dhe Lindjes së Mesme në Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) theksoi thellësinë e bashkëpunimit dhe kalimin e tij drejt konsolidimit.

“Zvicra mbetet e përkushtuar të qëndrojë përkrah Shqipërisë dhe të mbështesë një demokraci gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme. Lidhjet tona dypalëshe – dialogu teknik, binjakëzimi institucional, lidhjet midis njerëzve dhe bashkëpunimi ekonomik – do të vazhdojnë përtej vitit 2028, të ankoruara në progresin e Shqipërisë dhe perspektivën tonë të përbashkët evropiane”, u shpreh ai.

Pietro Lazzeri, drejtor i Bashkëpunimit Ekonomik dhe Zhvillimit në Sekretariatin Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO), nënvizoi angazhimin e vazhdueshëm të Zvicrës ndaj të ardhmes ekonomike të Shqipërisë.

“Objektivi ynë është i qartë: një ekonomi konkurruese, e orientuar nga inovacioni, që krijon vende pune cilësore. Gjatë tre viteve të ardhshme dhe më tej, ne do të mbështesim stabilitetin makroekonomik, do të forcojmë mbikëqyrjen e sektorit financiar, do të përmirësojmë klimën e biznesit dhe kapacitetin e eksportit, si dhe do të përputhemi me standardet e BE-së. Programi i ri mbështetet në arritjet e bashkëpunimit 2022–2025 dhe mbulon tre fusha prioritare: qeverisjen gjithëpërfshirëse, zhvillimin ekonomik dhe punësimin, si dhe zhvillimin urban dhe ndryshimet klimatike. Një tipar i veçantë i programit të ri do të jenë partneritetet institucionale dhe marrëveshjet e binjakëzimit midis institucioneve shqiptare dhe zvicerane, duke përfshirë zyrat federale të statistikave, metrologjisë, pronësisë intelektuale dhe MeteoSwiss”, tha ai.

Ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, Ruth Huber përshëndeti pjesëmarrësit dhe mbajti fjalën përmbyllëse, duke theksuar ndryshimet e shpejta që po ndodhin në vend dhe fokusin te krijimi i më shumë lidhjeve.

“Në këto vitet e ardhshme ne do të shfrytëzojmë diçka unike: partneritete të drejtpërdrejta institucionale midis autoriteteve shqiptare dhe qendrave federale zvicerane të kompetencës – në shkencën e ujit, energjinë, statistikat, metrologjinë, pronësinë intelektuale dhe më shumë”, tha Huber.

Zvicra është një nga partnerët kryesorë dypalësh të zhvillimit të Shqipërisë, me një histori suksesi që përfshin mbi tre dekada dhe një kontribut prej mbi 500 milionë frangash zvicerane në fusha duke përfshirë qeverisjen demokratike, reformën e qeverisjes vendore, arsimin profesional, mbështetjen makroekonomike dhe shëndetësinë. Bashkëpunimi zbatohet bashkërisht nga dy agjenci qeveritare zvicerane, SDC dhe SECO.

Burimi ATSH

Lexo më shumë nga

Njerëzit që lexojnë rregullisht, janë të krijuar ndryshe!

"Ata marrin nga çdo libër një copëz urtësie dhe e kthejnë atë në mirësi"

Global 360

I nxehti ekstrem përfshin SHBA-në, mbi 60 milionë njerëz në alarm

Sipas Shërbimit Kombëtar të Motit, temperaturat në shumë zona pritet të kalojnë 38 gradë Celsius, ndërsa lagështia e lartë do…

Diplovista

Rama për ”Corriere della sera”: Histeria digjitale prodhon një imazh të rremë për Shqipërinë

Histeria digjitale prodhon një imazh të rremë për Shqipërinë, deklaroi kryeministri Rama për prestigjiozen italiane ”Corriere della sera”.

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Dita Botërore e Refugjatëve dhe 75-vjetori i Konventës së Gjenevës: Premtimi i njerëzimit që nuk duhet harruar

20 Qershor 2026 - Dita Botërore e Refugjatëve. 28 Korrik 2026 - 75-vjetori i Konventës së vitit 1951 mbi Statusin…

Profil

MILANO 2026 – BBC: Lara Colturi, skiatorja që po bën Shqipërinë krenare

Lara Colturi është vetëm 19 vjeçe, por ajo mund të bëjë historinë olimpike duke u bërë medalistja e parë e…

Masmedia

Njerëzit që lexojnë rregullisht, janë të krijuar ndryshe!

"Ata marrin nga çdo libër një copëz urtësie dhe e kthejnë atë në mirësi"