
Ibrahimaj: Brenda vitit miratojmë projektligjin për mbrojtjen e prodhimit vendas
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se brenda këtij vitit qeveria do të miratojë projektligjin për mbrojtjen e prodhimit vendas.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se brenda këtij vitit qeveria do të miratojë projektligjin për mbrojtjen e prodhimit vendas.
Duke replikuar ndaj deklaratave të opozitës në Kuvend, Ibrahimaj theksoi se e vërteta është se ekonomia shqiptare prej vitesh ka një rritje mbi mesataren europiane.
“Ekonomia shqiptare prej vitesh ka një rritje mbi mesataren e vendeve të Ballkanit Perëndimor. GDP është rritur, punësimi është rritur, papunësia ka rënë, investimet janë rritur, investimet e huaja direkte janë rritur, konsumi është rritur”, tha Ibrahimaj.
Sipas saj, të gjithë treguesit makroekonomikë janë në rritje.
“A duhet ta mbështesim prodhimin shqiptar? Po, pa diskutim dhe do ta mbështesim prodhimin shqiptar. Për këtë arsye brenda programit të qeverisë ne kemi përcaktuar dhe do të miratojmë ligjin për ‘Made in Albania’, i cili do të miratohet këtë vit”, tha ministrja Ibrahimaj.
Ibrahimaj uroi që kur ligji bashkë me të gjitha incentivat për prodhimin vendas të vijë në Kuvend, të mbështetet edhe nga opozita, meqënëse siç u shpreh ajo, duke iu referuar diskutimeve në Kuvend, është shumë e shqetësuar për prodhimin shqiptar.
Marrë nga ATSH


















