
Rama: Digjitalizimi i inspektimeve, kyç për përmirësimin e konkurrencës së ndërmarrjeve
Kryeministri Edi Rama theksoi rëndësinë e digjitalizimit për përmirësimin e sistemit të inspektimeve dhe garantimin e një konkurrencë të ndershme për sipërmarrjet.

Kryeministri Edi Rama theksoi rëndësinë e digjitalizimit për përmirësimin e sistemit të inspektimeve dhe garantimin e një konkurrencë të ndershme për sipërmarrjet.
Gjatë një takimi me Ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj dhe Kryeinspektorin e Përgjithshëm, Dashnor Sulaj, ai shpjegoi se ka një potencial të madh për të çuar sistemin e inspektimeve në një nivel më të lartë, duke e përfshirë teknologjinë për të siguruar një proces më të efikas dhe transparent.
“Inspektimi është një fushë ku ka shumë potencial për të kaluar në një nivel tjetër, përmes digjitalizimit. Ky është një hap i rëndësishëm për të rritur besueshmërinë dhe për të ndihmuar realisht sipërmarrjen”, tha Rama.
Kryeministri nënvizoi se një nga sfidat kryesore që përballen sipërmarrjet është konkurrenca e pandershme dhe situatat që kërkojnë mbështetje.
Ai theksoi se, për të mundësuar një mbështetje efektive, është e nevojshme që të krijohet një kanal i besueshëm ankesash dhe një trajtim të tillë me integritet.
“Ne besojmë se reforma është e duhura, legjislacioni është i duhuri, dhe fuqia e dhënë inspektorëve dhe mundësia që i është dhënë sistemit për t’u stabilizuar duke u konsoliduar janë te duhura. Tani, duhet të fokusohemi në zbatim dhe koordinim më të mirë mes sistemeve”, shtoi ai.
Kryeministri theksoi se një pasqyrë e dyfishtë për trajtimin e ankesave dhe një bashkëpunim i ngushtë mes institucioneve janë të nevojshme për të siguruar një trajtim të drejtë dhe transparent të shqetësimeve të sipërmarrësve.
“Një pasqyrë e dyfishtë për të parë se ku shkon ankesa dhe sa adresohet ajo, janë gjëra të rëndësishme”, tha Rama.
Sipas tij, vetëm në këtë mënyrë mund të sigurohet një konkurrencë e ndershme dhe të mbyllen rrugët për praktikën e konkurrencës së pandershme.
“Unë kam shumë besim që bashkërisht do t’i japim një frymëmarrje tjetër punës së sipërmarrjes në raport me inspektimin, por edhe të gjithë sipërmarrjes që do konkurrencë të ndershme edhe që të garantohet konkurrenca e ndershme duhet të mbyllen rrugët e asaj të pandershme dhe këtu inspektimet janë kyçë”, deklaroi Rama.
Rama shprehu besim se reforma dhe angazhimi i përbashkët do të sjellin një ndryshim pozitiv për sipërmarrjen dhe për sistemin e inspektimeve.
Burimi ATSH



















