
Rriten pagat dhe përfitimet për personelin në misionet diplomatike dhe organizatat ndërkombëtare
Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr. 324, datë 31.05.2023 të Këshillit të Ministrave

Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr. 324, datë 31.05.2023 të Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e pagave të punonjësve të personelit shqiptar të misioneve diplomatike të Republikës së Shqipërisë në shtetet e huaja, në përfaqësitë ushtarake të Republikës së Shqipërisë pranë NATO-s, në organizatat ndërkombëtare dhe në shtabet ushtarake ndërkombëtare, si dhe të punonjësve të tjerë shqiptarë për kohën që shërbejnë si nëpunës ndërlidhës, si oficerë kontakti, si përfaqësues të ministrisë përgjegjëse për bujqësinë dhe si prokuror ndërlidhës pranë EUROJUST në Hagë, Holandë”.
Sipas vendimit, për këta punonjës, kompensimi për koston e jetesës është 280 euro në muaj për EUROPOL dhe 180 euro në muaj për SELEC. Pagat dhe kompensimet përfshihen nga momenti i emërimit në detyrë dhe do të mbulohen nga fondet e institucioneve përkatëse, përfshirë Byroën Kombëtare të Hetimit dhe Agjencinë e Inteligjencës Financiare, si dhe nga buxheti i institucioneve sipas ligjit “Për buxhetin e vitit 2026”.
Vendimi hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare” dhe ngarkon institucionet përkatëse me zbatimin e tij, duke siguruar harmonizimin e pagave dhe përfitimeve për personelin shqiptar që shërben në misione ndërkombëtare dhe institucione të sigurisë.
/Marrë nga ATSH


















