
Rama viziton bazilikën e Genazzano-s: Krah Zojës së Shqipërisë, qëndron përherë edhe flamuri ynë kombëtar
Kryeministri Edi Rama u ndal sot në bazilikën “Zoja e Këshillit të Mirë” në Genazzano, ndërsa po zhvillon vizitë zyrtare në Vatikan me ftesë të Selisë së Shenjtë.

Kryeministri Edi Rama u ndal sot në bazilikën “Zoja e Këshillit të Mirë” në Genazzano, ndërsa po zhvillon vizitë zyrtare në Vatikan me ftesë të Selisë së Shenjtë.
I shoqëruar nga bashkëshortja e tij Linda Rama, djali Zaho dhe delegacioni që e shoqëron kryeministri vizitoi këtë bazilikë ku gjendet shembëlltyra e Zojës së Këshillit të Mirë, mbi një copë të shkëputur nga muri i Kishës së Shkodrës në vitin e largët 1467.
“Që nga ajo kohë asnjë kryetar shteti ose qeverie shqiptare nuk e kishte shkelur pragun e bazilikës, ku krah Zojës së Shqipërisë qëndron përherë edhe flamuri ynë kombëtar, e ku kanë kryer vizita e rite thuajse të gjithë Papët e Romës”, tha kryeministri, ndërsa ndau edhe fotoalbumin nga kjo vizitë.
Rama bëri të ditur se gjëja e parë që bëri edhe Papa Leoni XVI sapo u zgjodh, ishte të vinte e të lutej në Genazzano te Zoja e Shqipërisë që thirret edhe Regina di Albania – Mbretëresha e Shqipërisë.
Në vijim të vizitës së tij, kryeministri do të vizitojë Pallatin Apostolik të Vatikanit, ku do të pritet në oborrin “San Damaso”, nga prefekti i Shtëpisë Papnore dhe Zotërinj të Shenjtërisë së Tij.
Pritja do t’i paraprijë audiencës që kryeministri Rama do të ketë me papa Leonen XIV, në Bibliotekën Papnore të Pallatit Apostolik.
Më pas, vizita do të vijojë në Bazilikën e Shën Pjetrit, në mjediset e Stanza delle Lacrime, Cappella Paolina, Sala Reggia, Sistina dhe në altarin e Shën Gjon Palit II.
Në përfundim të qëndrimit të tyre në Vatikan, kryeministri Rama dhe bashkëshortja e tij, do të vizitojnë vendvarrimin e papa Françeskut në bazilikën Santa Maria Maggiore.
Pjesë e kësaj vizite do të jenë edhe disa takime të tjera mes të cilave takimi me kardinalin Pietro Parolini, sekretar shteti i Vatikanit.
Burimi ATSH

















