
Rama: Gjyqtarëve nuk u është përkeqësuar pozicioni financiar, pagat si në Greqi
Kryeministri Edi Rama reagoi sot në lidhje me debatin për pagat e gjyqtarëve, në një moment kur Gjykata Kushtetuese ndodhet në fazën përfundimtare të shqyrtimit të çështjes së statusit financiar të magjistratëve.

Kryeministri Edi Rama reagoi sot në lidhje me debatin për pagat e gjyqtarëve, në një moment kur Gjykata Kushtetuese ndodhet në fazën përfundimtare të shqyrtimit të çështjes së statusit financiar të magjistratëve.
Kryeministri hodhi poshtë pretendimet e gjyqtarëve se Këshilli i Ministrave ka suprimuar qëllimisht referencën e pagës, duke suprimuar pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm në Këshillin e Ministrave.
Rama shtoi se, arsyetimi pa prova dhe pa fakte, vë në pikëpyetje serioze mënyrën se si merren vendime që prekin interesin publik dhe fatet e qytetarëve.
“Ju jeni atje lart për të dhënë drejtësi dhe për të garantuar barazinë para ligjit dhe jo këtu poshtë ku jemi ne të tjerët, që përditë jemi në beteja të tilla dhe për t’u futur dhe ju në këtë përleshje me një gjuhë të papranueshme, të pajustifikueshme, që shkel çdo etikë të gjykatësit dhe ndërkohë të thoni se Këshilli i Ministrave kishte suprimuar qëllimisht dhe me keqbesim sipas jush referencën e pagës duke suprimuar vendin.
“Ju jeni dhe të painformuar, sepse nuk ka patur asnjëlloj suprimimi nga Këshillit të Ministrave, të ndonjë pozicioni të quajtur Drejtor i Përgjithshëm se nuk ka pasur Drejtor të Përgjithshëm në Këshillin e Ministrave, si funksion. Mos flisni dokrra në sytë e popullit shqiptar, sepse gjithë këto dokrra që ju keni folur këtu ngrenë një pikëpyetje shumë të madhe nga mënyra sesi ju arsyetoni dhe nga mënyra juan e arsyetimit varen fate njerëzish, varet interesi publik e kombëtar, varen gjithfarë lloj familjesh. Ju nuk mund të arsyetoni pa prova, pa fakte dhe ju nuk mund të arsyetoni, duke marrë dhe shkelmuar faktet dhe provat, apo duke i marrë të mirëqena kur ato nuk ekzistojnë dhe ky është fiks një nga rastet kur flisni për një Drejtor të Përgjithshëm që qenka suprimuar në organigramën e Këshillit të Ministrave, kur Këshilli i Ministrave nuk ka pasur asnjëherë Drejtor të Përgjithshëm”, tha Rama.
Në lidhje me pretendimet për ulje pagash dhe përkeqësim të pozitës financiare, Rama tha se gjyqtarët duhet të paraqesin dokumente konkrete. Rama shtoi se pagat e gjyqtarëve shqiptarë janë të krahasueshme me ato të gjyqtarëve në Greqi dhe se kërkesat për rritje të mëtejshme janë të pajustifikuara.
“E pesta, ju thoni se për të ndrequr pakushtetutshmërinë. Kush jeni u që e përcaktoni këtë gjë kështu? Ju nuk jeni parti politike. Partitë politike, mund të flasin duke dhënë opinione të tilla në publik, ju jeni gjykatës, nuk jeni interlokutorë të publikut në arenën e pluralizmit politik. Si mund të flisni me këtë gjuhë, si mund të hidhni baltë mbi qeverinë me këtë lloj retorike dhe për më tepër flisni për zbritje fiktive në kategori më poshtë të pagës referuese të bëra nga ana e Këshillit të Ministrave. E vërteta është se flisni dhe për ulje pagash. Juve ju është përkeqësuar pozicioni financiar, sipas jush. Nxirrni një dokument të vetëm të përkeqësimit tuaj financiar”, tha Rama.
Rama theksoi se qeveria është garantja e pavarësisë së gjyqësorit dhe se ndryshimet e viteve të fundit kanë rritur ndjeshëm pavarësinë profesionale dhe personale të gjyqtarëve.
“I keni pagat njësoj si gjykatësit në Greqi sot, dhe doni t’i rrisni prap me nga 2000-3000 euro në muaj. Thoni që ne ua paskemi përkeqësuar pozicionin financiar juve?! Këto janë dokrra! Nxirrni një dokument të përkeqësimit të pozicionit financiar, se nuk jeni parti politike, për të bërë deklarata publike. Askush këtu sa më takon mua nuk ju cenon juve pozicion, kjo qeveri është garantja e pavarësisë suaj. Ju e shikoni vetë ndryshimin e madh që ka ndodhur dhe në jetën tuaj familjare, dhe në jetën tuaj profesionale, sepse jeni totalisht të pavarur. Jo të dilni në publik dhe të bëni fletërrufe”, tha Rama.
Burimi ATSH



















