
Rama: Shteti shqiptar aksionar 49% në kompaninë për prodhimin e anijeve në Pashaliman
Kryeministri, njëherazi kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama tha sot se për herë të parë ndodh që shteti po merr pjesë në sipërmarrje dhe për këtë solli në vëmendje bashkëpunimin me kompaninë italiane të prodhimit të anijeve, “Fincantieri”.

Kryeministri, njëherazi kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama tha sot se për herë të parë ndodh që shteti po merr pjesë në sipërmarrje dhe për këtë solli në vëmendje bashkëpunimin me kompaninë italiane të prodhimit të anijeve, “Fincantieri”.
Kryeministri Edi Rama mblodhi këtë të premte në Tiranë grupin parlamentar socialist. Në fjalën e tij në fund të punimeve njoftoi dhe marrëveshjen me “Ficantieri”-n, kompaninë italiane të prodhimit të anijeve. Rama tha se shteti shqiptar është aksionar në nivelin 49% me kompaninë që do të prodhojë anije në bazën e Pashalimanit.
“Shteti po merr pjesë në sipërmarrje, krejt e kundërta e rrugës që çon në abuzim me asetet publike, në abuzim me fondet publike. Kur them abuzim, nuk kam parasysh vetëm atë për qëllime përfitime, por dhe për një qasje largpamëse dhe sot, jo më larg se sot, në ndërkohë që ne flisnim këtu, zhvillohej seanca e fundit e negociatave me një nga ekselencat më të mëdha të botës, “Fincantieri”, kompania e madhe publike italiane që është lider në prodhimin e anijeve të të gjitha përmasave dhe falë KAYO-s, ne kem hyrë në një marrëveshje me “Fincantieri”-n për një kompani të përbashkët, ku 51% do t’i kenë italianët dhe 49% shteti shqiptar”.
Rama tha se “aktiviteti i kompanisë në portin e Pashalimanit do të bëjë që, nga njëra anë, ushtria shqiptare të vazhdojë të ngrejë forcën e vet detare, duke i prodhuar në vend anijet në dispozicion të saj dhe nga ana tjetër, do të realizohet mirëmbajtja e tyre me një kompani ku shtetit shqiptar është aksionar, dhe patjetër që do të krijojë punësim të specializuar me paga të larta”, tha Rama.
“Nga ana tjetër, kjo kompani do të marrë porosi nga vende të tjera, duke ndërtuar anije të kalibrave të ndryshëm nga ato që ndërton “Ficantieri” në kantierin e vet, që do t’i shesë, dhe nga shitja shteti shqiptar, FA do të përfitojnë 49%. Do të bëjë mirëmbajtjen e anijeve të rojave bregdetare të NATO-s në Shqipëri, 49% i merr shteti shqiptar. Kjo linjë do të thotë transferim teknologjie e shumë të tjera më pas. Ky është vetëm një shembull”, u shpreh Rama.
Marrë nga ATSH



















