
Rama: Puna për integrimin nuk pret karriget bosh të opozitës
Kryeministri Edi Rama, njëherazi kryetari i Partisë Socialiste, deklaroi sot në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste se mazhoranca është e angazhuar për të bërë punën e saj dhe se proceset kyçe për vendin, përfshirë integrimin europian, nuk mund të presin.

Kryeministri Edi Rama, njëherazi kryetari i Partisë Socialiste, deklaroi sot në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste se mazhoranca është e angazhuar për të bërë punën e saj dhe se proceset kyçe për vendin, përfshirë integrimin europian, nuk mund të presin.
“Ne jemi këtu për të bërë punën tonë dhe, për të gjitha arsyet që i dimë, puna jonë nuk pret”, u shpreh Rama, duke shtuar se do të ishte “qershia mbi tortë” nëse edhe opozita do të ishte e interesuar për të bërë të njëjtën punë për vendin dhe për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Sipas Kryeministrit, opozita nuk është e angazhuar në këtë drejtim, por përkundrazi, synon që jashtë kufijve të Shqipërisë të përçojë një imazh negativ të vendit, ndërsa brenda vendit përpiqet të pengojë proceset.
“Përkundrazi janë të angazhuar që me çdo mjet dhe mënyrë të përcjellin jashtë kufijve të Shqipërisë kobin e zi që ky vend është një narkoshtet. Ndërkohë, këtu brenda janë të interesuar që vetëm të pengojnë”, tha Rama.
Në këtë kontekst, Rama theksoi se mazhoranca nuk do të ndalet në asnjë rast për të vazhduar punën e saj.
“Pa hequr dorë në asnjë moment dhe për asnjë arsye nga gatishmëria për të bashkëpunuar nëse do të vijnë të ulen në tavolinat e bashkëpunimit, ne nuk do të presim për asnjë rast dhe arsye askënd për të vazhduar të bëjmë punën tonë”, tha Rama, duke nënvizuar se kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë.
Ai u shpreh se e mirëkupton thirrjen e partnerëve ndërkombëtarë për dialog, bashkëpunim dhe konsensus, duke theksuar se mazhoranca është e gatshme për dialog, por se bashkëpunimi nuk mund të imponohet me forcë.
“Dialog dhe ulje në një tavolinë të përbashkët me zor, unë nuk kam parë”, u shpreh ai.
Rama theksoi se dera e bashkëpunimit nuk do të mbyllet asnjëherë dhe për asnjë arsye, por se mazhoranca nuk do ta ndalojë rrugën e saj për shkak të mungesës së vullnetit nga ana tjetër.
“Karriget bosh janë aty, kush do le të vijë të ulet, kush do të bashkëpunojë le të bashkëpunojë”, tha Kryeministri.
Në përfundim, Rama theksoi se rrugët mes mazhorancës dhe opozitës janë të ndara, duke nënvizuar se mazhoranca do të vazhdojë përpara, ndërsa opozita, sipas tij, do të mbetet pas.
“Ne gjithmonë e më përpara, ata gjithmonë më mbrapa, por keni parasysh që sa më mbrapa të mbeten aq më e fortë do të vijë jehona e lehjes së tyre. Sepse ajo që ata bëjnë në shqipen time quhet “lehaqenie””, tha Kryeministri.
Burimi ATSH


















