Vijon shpërndarja e ushqimeve për gjënë e gjallë në zonat e prekura nga reshjet
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, bëri të ditur se po vijon shpërndarja e bazës ushqimore për gjënë e gjallë në zonat e prekura nga reshjet intensive të ditëve të fundit, pas verifikimeve të kryera në terren dhe vlerësimit të nevojave të evidentuara nga strukturat përgjegjëse.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ministri Salla theksoi se kjo ndërhyrje ka për qëllim minimizimin e vështirësive të krijuara për fermerët dhe blegtorët si pasojë e përmbytjeve dhe garantimin e furnizimit bazë për vijimësinë e aktivitetit blegtoral në zonat e prekura.
Sipas tij, shpërndarja e bazës ushqimore për gjënë e gjallë po realizohet në bashkëpunim të ngushtë me pushtetin vendor dhe strukturat e Emergjencave Civile, duke u fokusuar në zonat ku prania e ujit ka krijuar vështirësi në sigurimin e ushqimit për kafshët.
Ministri bëri të ditur se ekipet e institucioneve të linjës vijojnë punën në terren për të garantuar asistencë të menjëhershme dhe për të adresuar nevojat emergjente të fermerëve dhe blegtorëve të prekur. “Verifikimet në terren po vazhdojnë me qëllim evidentimin e plotë të situatës dhe përcaktimin e masave të mëtejshme mbështetëse për çdo subjekt të prekur”, u shpreh ai.
Salla siguroi se Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural do të vijojë të jetë në terren dhe të ofrojë mbështetjen e nevojshme për fermerët dhe blegtorët, deri në normalizimin e plotë të situatës dhe rikthimin e kushteve të zakonshme të aktivitetit bujqësor dhe blegtoral.
Burimi ATSH