Raketat iraniane godasin Dubain, Rama: Shqipëria në solidaritet të plotë me Emiratet e Bashkuara Arabe

Kryeministri Edi Rama dënoi sot sulmet e Iranit ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe, të cilat i konsideroi sulm ndaj stabilitetit dhe prosperitetit të gjithë rajonit të Lindjes së Mesme.


Kryeministri Edi Rama dënoi sot sulmet e Iranit ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe, të cilat i konsideroi sulm ndaj stabilitetit dhe prosperitetit të gjithë rajonit të Lindjes së Mesme.

Kryeministri siguroi se Shqipëria qëndron në solidaritet të plotë dhe të palëkundur me udhëheqjen dhe popullin e Emirateve të Bashkuara Arabe.

Siguria në Gjirin Persik, sipas tij, nuk është një çështje lokale, por është domosdoshmëri globale.

“Çdo përpjekje për ta destabilizuar atë kërcënon jo vetëm rrugët energjetike, korridoret tregtare dhe arkitekturën e brishtë të paqes rajonale, por edhe ekuilibrin më të gjerë të sigurisë ndërkombëtare”, tha Rama, ndërsa nënvizoi domosdoshmërinë që “komuniteti ndërkombëtar të flasë me qartësi dhe unitet”.

Më poshtë reagimi i plotë i kryeministrit Rama:

“Sulmet e verbra dhe të dëshpëruara të Republikës Khomeiniste kundër Emirateve të Bashkuara Arabe nuk janë thjesht një sulm ndaj një kombi sovran. Ato janë një sulm ndaj stabilitetit, prosperitetit dhe vetë idesë se Lindja e Mesme mund të përcaktohet nga paqja dhe bashkëpunimi, e jo nga lufta dhe kaosi.

Shënjestrimi i një oazi paqësor si Dubai me raketa urrejtjeje dhe shkatërrimi zbulon edhe një herë natyrën e vërtetë të regjimit mesjetar në Teheran. Ky është refleksi i një sistemi të destinuar të dështojë, një sistemi që eksporton dhunë dhe përdor terrorin si armë kundër fqinjëve që kërkojnë paqe, për t’i frikësuar jo vetëm ata, por para së gjithash popullin e vet që kërkon liri.

Emiratet e Bashkuara Arabe janë bërë një simbol global i promovimit të paqes, hapjes ndaj dialogut, dinamizmit ekonomik, bashkëjetesës ndërfetare dhe vitalitetit kulturor. Ato përfaqësojnë një model se si mund të duket një Lindje e Mesme moderne: e sigurt në vetvete, e ndërlidhur, me vizion përpara dhe thjesht e bukur. Të godasësh verbërisht kundër saj do të thotë të godasësh vetë mundësinë e një rajoni që ka zgjedhur zhvillimin mbi shkatërrimin, bashkëpunimin mbi përballjen, paqen mbi luftën.

Shqipëria qëndron në solidaritet të plotë dhe të palëkundur me udhëheqjen dhe popullin e Emirateve të Bashkuara Arabe. Siguria në Gjirin Persik nuk është një çështje lokale; ajo është një domosdoshmëri globale. Çdo përpjekje për ta destabilizuar atë kërcënon jo vetëm rrugët energjetike, korridoret tregtare dhe arkitekturën e brishtë të paqes rajonale, por edhe ekuilibrin më të gjerë të sigurisë ndërkombëtare.

Komuniteti ndërkombëtar duhet të flasë me qartësi dhe unitet: agresioni i sponsorizuar nga shteti, sulmet me raketa kundër mjediseve civile dhe destabilizimi i qëllimshëm nga një regjim që vret popullin e vet në shkallë masive nuk mund të lënë asnjë vend për Republikën Khomeiniste në bashkësinë e kombeve, pavarësisht dallimeve në sisteme apo pikëpamjeve politike.

Rruga përpara për rajonin nuk shkruhet me raketa, por me njohje të ndërsjellë, integrim ekonomik dhe udhëheqje të përgjegjshme. Emiratet e Bashkuara Arabe, nën drejtimin vizionar të liderit të tyre të madh, Presidentit Mohammed Bin Zayed, kanë zgjedhur të jenë një far stabiliteti dhe përparimi për të gjitha kombet që duan paqen. Ata që zgjedhin errësirën dhe shkatërrimin duhet ta gjejnë veten të izoluar nga një botë që qëndron për stabilitet, bashkëpunim dhe paqe”.

/Marrë nga ATSH

Lexo më shumë nga

Prezantohet “Pasqyrë Albania”, Rama: Çdo ankesë do të gjurmohet, institucionet do të japin përgjigje brenda afatit

Kryeministri Edi Rama prezantoi sot platformën e re “Pasqyrë Albania”, një instrument digjital që synon të rrisë transparencën mbi investimet…

Global 360

Kurti: Serbia duhet ta ndryshojë qasjen ndaj Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vlerësuar si historik rezultatin e arritur nga shqiptarët në zgjedhjet parlamentare në Serbi

Diplovista

Rama për “Kathimerini”: Nuk do të jap dorëheqjen, një pakicë po i vë flakën vendit

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në një intervistë për gazetën greke “Kathimerini” se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen, pavarësisht…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Kur feja bëhet instrument gjeopolitik: Kosova përtej simbolikës fetare

Një përgjigje ndaj Albatros Rexhajt. "Pse feja nuk duhet të bëhet busull e orientimit gjeopolitik të Kosovës".

Profil

MILANO 2026 – BBC: Lara Colturi, skiatorja që po bën Shqipërinë krenare

Lara Colturi është vetëm 19 vjeçe, por ajo mund të bëjë historinë olimpike duke u bërë medalistja e parë e…

Masmedia

Prezantohet “Pasqyrë Albania”, Rama: Çdo ankesë do të gjurmohet, institucionet do të japin përgjigje brenda afatit

Kryeministri Edi Rama prezantoi sot platformën e re “Pasqyrë Albania”, një instrument digjital që synon të rrisë transparencën mbi investimet…