
Ethemaj: TIA rrit kapacitetet, fluturime me Kanadanë dhe negociata me ShBA, Katar e Norvegji
Kreu i Aviacionit Civil Shqiptar, Maksim Ethemaj, deklaroi se Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit operon me nivel të lartë sigurie, falë sistemeve të kamerave, kontrollit të aksesit dhe protokolleve të avancuara të sigurisë.

Kreu i Aviacionit Civil Shqiptar, Maksim Ethemaj, deklaroi se Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit operon me nivel të lartë sigurie, falë sistemeve të kamerave, kontrollit të aksesit dhe protokolleve të avancuara të sigurisë.
Në një intervistë televizive ai njoftoi se vitin e ardhshëm Aeroporti do të ketë gjashtë porta të reja dhe 17 kabina check-in, të cilat do të lehtësojnë ndjeshëm lëvizjen e udhëtarëve.
Sa i përket linjave të reja të fluturimeve, Ethemaj bëri të ditur se Shqipëria do të ketë fluturime direkte me Kanadanë, me fluturimin e parë jashtë Europës që pritet në qershor. Po ashtu, nga Kopenhaga do të ketë fluturime të përditshme, ndërsa do të shtohen linjat drejt disa qyteteve të Suedisë.
Ethemaj njoftoi se po zhvillohen negociata me Marokun, Norvegjinë, Katarin dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për zgjerimin e rrjetit të fluturimeve.
Kreu i Aviacionit Civil theksoi se në rastet e motit të keq, fluturimet nuk kryhen, pasi prioritet është siguria e udhëtarëve. Ai shtoi se anulimet për shkak të kushteve atmosferike nuk konsiderohen të shkaktuara nga linjat ajrore dhe udhëtarët nuk kompensohen, duke u bazuar në parimin e force majeure.
Gjatë vitit 2025, sipas të dhënave të Aviacionit Civil, 12 milionë turistë vizituan Shqipërinë, duke rritur numrin e udhëtarëve në Aeroportin e Rinasit dhe duke konfirmuar rëndësinë e zgjerimit të linjave ajrore.
Burimi ATSH


















