
Teatri i Kukullave rikthehet në Gjirokastër pas 34 vitesh mungesë
Në qytetin e Gjirokastrës në këtë fundvit janë rikthyer pas 34 viteve mungesë shfaqjet e Teatrit të Kukullave për fëmijë.

Në qytetin e Gjirokastrës në këtë fundvit janë rikthyer pas 34 viteve mungesë shfaqjet e Teatrit të Kukullave për fëmijë.
Rikthimi i traditës së shfaqjeve synon argëtimin dhe edukimin e fëmijëve gjirokastritë.
Aktori Bujar Sulejmani, i cili ka pasur një karrierë të gjatë prej 55 vitesh në Teatrin e Kukullave të Gjirokastrës tha për mediet se prej disa ditësh po japim shfaqje dhe fëmijët gjirokastritë po argëtohen në këto festa të fundvitit.
“Fëmijët duhet të heqin dorë nga telefoni të vijnë në teatër se ka shumë gjëra të bukura, shfaqjet janë argëtuese dhe edukative dhe ju bën shumë mirë”, tha aktori Niko Ura.
Ndërsa aktori Fredi Beqo shprehet se “shfaqjet na kishin munguar shumë edhe ne aktorëve, por edhe fëmijëve të vegjël, pasi këtu vijnë dhe argëtohen. Po t’i shikosh sa të kënaqur dalin kur përfundon shfaqja është një emocion i madh për ne”.
Kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi thekson se “përgjatë fundjavave me bashkëpunimin e aktorëve të vjetër të qytetit, në skenën e ngritur rishtazi do të shfaqen pjesë për fëmijë”.
Shfaqjet po jepen me rastin e festave të fundvitit, ndërsa në vijim fëmijët e çerdheve, kopshteve dhe shkollave do të kenë mundësi të ndjekin shfaqje çdo fundjavë.
Burimi ATSH


















