
Midis terrorit dhe humorit: struktura muzikore e kujtesës komuniste te “Mossanga” e Fate Velajt
“Romani “Mossanga” i Fate Velajt shënon një moment të veçantë në prozën bashkëkohore shqipe”

Nga Dr. Luan Topçiu
Romani “Mossanga” i Fate Velajt shënon një moment të veçantë në prozën bashkëkohore shqipe, jo vetëm për nga tematika e tij e pazakontë, por sidomos për mënyrën se si e rindërton kujtesën e periudhës komuniste përmes një strukture narrative që i ngjan një kompozimi muzikor. Fakti që ky roman ka fituar vemendjen e shtuar të kritikës letrare dhe vlerësime të jashtëzakonshme nga kolegë shkrimtarë dhe lexues të thjeshtë dëshmon se kemi të bëjmë me një roman që do të zerë një vend nderi në letërsinë shqiptare, me një vlerësim të merituar në peizazhin e letërsisë europiane. Romani nuk i qaset së shkuarës si arkiv dokumentar, por si hapësirë estetike, ku peripecitë e përvojës individuale dhe kolektive përftohen përmes një forme të rregulluar me qashtërsi, ritëm dhe polifoni të brendshme. Kjo qasje e vendos Velajn në një linjë të natyrshme me teoritë estetike të Milan Kunderës, i cili, në librin Arti i romanit, pohon se romani modern është para së gjithash një formë e organizimit të brendshëm, një “art i kohës së përjetimit”, që funksionon njësoj si muzika: me tema, variacione, kontrapunte dhe modulime.
Struktura muzikore e Mossanga-s është një nga elementet më të arrira të romanit. Velaj vendos një simetri të brendshme midis hapjes dhe mbylljes së tekstit, duke e organizuar veprën si një hark të tensionuar, ku nota e parë e kontaktit të rrëfimtarit me mjekun stomatolog në Austri, një nga fëmijët kongolezë, ruan korrespondencën me notën e fundit, kur Mossanga, i rraskapitur nga sëmundja dhe nga e kaluara e mundishme, kthehet për të vdekur “si shqiptar”. Ky hark kompozicional prodhon një rezonancë të brendshme, që e ngarkon romanin me ton elegjiak, duke e forcuar ndjesinë se tema kryesore — identiteti si proces, jo si thelb — rikthehet në forma të ndryshme gjatë gjithë veprës, si një leitmotiv që herë ndizet, herë shuhet, por kurrë nuk zhduket.
Në këtë strukturë, motivi tematik funksionon si variacion muzikor: trauma e huajësisë, izolimi i skajshëm në regjimin komunist të Enver Hoxhës, absurditeti i logjikës totalitare, dashuria e ndaluar, historia e të huajve në një shoqëri të mbyllur, pasioni për muzikën, si formë e vetme e lirisë — të gjitha rikthehen me tone të ndryshme. Fate Velaj zgjedh të mos e trajtojë traumën si një vijë të drejtë, që të çon drejt kulmit, por si një gamë rifillimesh dhe pezullimesh, duke e afruar romanin me konceptin e “kohës ekzistenciale”, për të cilën flet Milan Kundera, kohë që nuk matet me kronologji, por me intensitet.
Dualiteti hapësinor, dy bërthama narrative: Vlora–Tirana krijon një nga shtyllat e rëndësishme strukturore të romanit. Vlora shfaqet si hapësira ku të huajt jetojnë dramat e tyre të vogla në periferi të Perandorisë së Frikës: hebrenj që kanë zgjedhur rastësisht Shqipërinë, francezë të sjellë nga vorbulla e historive personale, italiane e martuar me një ish student shqiptar në Itali, të huaj që kanë mbetur në këtë vend që lidhej dikur me botën, sot jetojnë kohën më absurde dhe më dramatike. Këto figura krijojnë atë që mund ta quajmë “etnografinë e të huajve”, një mozaik që i jep romanit bukurinë e tij të veçantë antropologjike, gjithnjë të përshkuar nga ironi, pikturalitet, dramë e humor. Pastelat në formë krokish me të huajt në Vlorë përbëjnë dhe një nga magjitë epike të romanit të Fate Velajt.
Në kontrapunkt me Vlorën, Tirana shfaqet si hapësira laboratorike e totalitarizmit, aty ku pushteti merr formë konkrete, ku paranoja institucionalizohet dhe ku absurditeti merr natyrën e së përditshmes. Velaj e portretizon kryeqytetin si skenë groteske, një hapësirë ku çdo gjë ndodh nën syrin e përhumbur të ideologjisë, ku jeta private përplaset me logjikën e “arsyes shtetërore”, për të cilën flet Arendt-i: një arsyeshmëri që prodhon mizori jo përmes barbarisë, por përmes një racionaliteti që ka përjashtuar humanitetin. Duke e vënë protagonistin në tension mes këtyre dy hapësirave, romani rrit dimensionin dramatik të dilemës së tij identitare.
Përplasje e identitetit të Mossangës me një shoqëri të mbyllur është një nga shtyllat intelektuale të veprës. I ardhur nga një realitet postkolonial i traumatizuar, ai përplaset me një sistem ku edhe vendasit janë shndërruar në të huaj në vendin e tyre, brenda strukturave të pushtetit. Kjo gjendje e dyfishtë e bën Mossangën shembull të identitetit “kalimtar”, në kuptimin e Todorov-it: individ i krijuar në rrugë të hapur, jo nga rrënjët. Velaj pasqyron kështu jo vetëm përvojën shqiptare të komunizmit, por edhe universalitetin e përvojës së huajësisë, e të ndryshmes, e tjetrit.
Rikthimi i figurave historike: Enver Hoxha, Tito, Mehmet Shehu, në Tiranën e atyre viteve, ku shfaqet edhe shkrimtari Ismail Kadare, pranë personazheve fiksionale, krijon një realizëm të dyfishtë që prodhon thellësi estetike dhe besueshmëri dokumentare. Kjo teknikë, e afërt me strategjinë e Kunderës te Shakaja apo me Grossman-in te Jeta dhe fati, i lejon Velajt të krijojë një tekst ku dokumenti historik nuk mbizotëron mbi imagjinatën, por hyn në dialog me të. Përfshirja e këtyre figurave nuk ka natyrë dekorative: ata përfaqësojnë orbitën e pushtetit, rreth të cilit lëvizin trajektoret e individëve të pambrojtur.
Terrori është i pranishëm në roman jo si inventar i së keqes, por si mekanizëm i përditshëm i jetës. Vendimet arbitrare, hetimet e dhunshme, diktimi i fatit të individëve sipas rregullave të pakuptueshme, krijojnë një atmosferë që ngjan me atë të Harmsit, Kiš-it apo Orwell-it, ku e keqja është njëkohësisht banale dhe e pamatshme. Në këtë pikë, romani fiton vlerën e një dokumenti moral, sepse e ekspozon dhunën si produkt të një sistemi që prodhon absurditet si formë të organizuar të realitetit. Në letërsinë shqipe, kjo qasje e afron Mossanga-n me disa prej momenteve më alegorike të Kadaresë, por Velaj ka zërin e tij: më të drejtpërdrejtë, më ironik, më të hapur ndaj kontradiktës.
Humori, po aq sa terrori, është element themelor i poetikës së romanit. Velaj është mjeshtër i nuancave humoristike që shfaqen në situata të errëta, duke ofruar një të qeshur të hidhur, të llojit që Kundera e quan “e qeshura që e ekspozon botën, dhe nuk e argëton atë”. Humori në këtë roman nuk është strehë, por instrument kritik; nuk e relativizon të keqen, por e bën të dukshme përmes kthjellimit ironik. Kjo lloj ironie, e cila rrënon maskën e pushtetit dhe zbulon absurditetin e tij, kujton analizën e Sloterdijk-ut mbi “arsyen cinike”, sipas së cilës njeriu modern i totalitarizmit e di se sistemi është absurd, por vijon të jetojë në të përmes mekanizmave të dorëzimit ironik.
Historia e dashurisë midis Mossangës dhe vajzës së Shefit të Shtabit, e cila kulmon me tragjedi — vetëvrasjen e Lito Goxhit, çmendjen e së shoqes, abortin e detyruar — funksionon si nyja më e ngjeshur dramatike e romanit. Kjo histori lidhet drejtpërdrejt me temën e pushtetit që depërton deri në intimitetin më të brishtë të individit. Është një histori ku dashuria e ndaluar shndërrohet në metaforë të individit që përplaset me murin e shtetit ideologjik. Velaj arrin ta rrëfejë këtë dramë jo me patos, por me një elegancë të matur, duke ruajtur ekuilibrin midis tragjikes dhe ironikes.
Në finalen e romanit, kthimi i protagonistit në Shqipëri, për të vdekur “si shqiptar”, bashkon të gjithë linjat tematike në një kulm emocional që nuk ofron qetësi, por rezonancë. Ky epilog e mbyll harkun kompozicional me një intensitet që i ngjan kodit final të një simfonie: nuk jep zgjidhje, por një tingull të fundit, të fortë, që mbetet gjatë në ndërgjegjen e lexuesit.
Romani Mossanga i Fate Velajt është një roman që e ndërthur kujtesën historike me një finesë estetike të rrallë. Ai e zgjeron hapësirën narrative të letërsisë shqipe drejt një poetike ku struktura muzikore, analiza e pushtetit, ironia, grotesku, intimiteti dhe historia funksionojnë si pjesë të një polifonie të ndërlikuar.
Romani nuk është thjesht një dëshmi për komunizmin, por një vepër që e çon më tej mënyrën e të menduarit për marrëdhënien midis individit dhe historisë, midis identitetit dhe huajësisë, midis estetikës dhe dhunës politike. Me këtë roman, Velaj dëshmon se letërsia shqipe mund të prodhojë vepra që jo vetëm i qëndrojnë kohës, por edhe e sfidojnë atë, duke u dhënë zë historive të heshtura dhe duke i kthyer ato në art me një forcë të jashtëzakonshme shprehëse dhe intuitë të rrallë.
(Botuar në gazetën letrare “ExLibris”)


















