
Rama për marrëveshjen e 17 Majit: Basha mori çdo gjë që kërkoi me bekimin e Berishës
Kryeministri Edi Rama ka zbuluar për herë të parë se çfarë ka ndodhur mes tij dhe Lulzim Bashës, ish-kreut të Partisë Demokratike në atë që njihet si Marrëveshja e 17 Majit.

Kryeministri Edi Rama ka zbuluar për herë të parë se çfarë ka ndodhur mes tij dhe Lulzim Bashës, ish-kreut të Partisë Demokratike në atë që njihet si Marrëveshja e 17 Majit.
Në një intervistë televizive për emisionin “Opinion”, Rama tha se kishte biseduar me Bashën vetëm për vetëm në një prej sallave të Kuvendit.
Sipas tij, Basha mori çdo gjë që kërkoi dhe pati bekimin e Berishës.
Rama rrëfeu se takimi u nxit pas kontakteve me përfaqësues të SHBA-së për situatën politike në vend dhe rajon.
“Vjen Hoyt [Brian Yee] tek unë dhe thotë: s’kemi çfarë themi, ti i bëre të gjitha, fatkeqësi e madhe për PD-në, por zgjedhja e tyre. Tani, thotë, ne po ikim, se do shkoj të takoj Lulzim Bashën. Për çfarë do e takosh? – i them unë. Do e takoj, më tha, t’i japim një mundësi të fundit. Ok. Shkon dhe pastaj doli ajo që i dhamë një plan me pesë pika”, tha Rama.
Sipas Ramës, vendimi për të shkuar në Kuvend dhe për ta takuar Bashën u mor pas konsultimeve brenda mazhorancës.
“Ne kishim një takim në Elbasan me gratë. Ndërkohë që Luli mblodhi gjithë partitë në sallën e Kuvendit. Nisem për Elbasan dhe rrugës marr Gramoz Ruçin. Gramoz, i thashë, unë do t’i shkoj atje atij. Do t’i shkoj atje në takim. Më thotë Gramozi: Ke ndonjë merak ti? I thashë unë: Çfarë mendon në rast se unë arrij ta ul atë? Tha, dy gjëra kam merak unë: data lëviz, kryeministri s’lëviz. Çdo gjë tjetër lëviz. Ok, them unë, jemi në një mendje. Kthehem dhe shkoj atje”.
Rama tha se negociatat u zhvilluan në një takim kokë më kokë në ambientet e Kuvendit dhe se marrëveshja u arrit pasi Basha pranoi kushtet e vendosura, me bekimin e Sali Berishës.
“Në një moment të caktuar i them: Hajde, se po të pres te salla tjetër… U futëm, është një sallë e madhe, aty ku bëhen mbledhje. U ulëm edhe folëm gjerë e gjatë. Në fund u morëm vesh. Patëm një diskutim në fund kush do flasë i pari. Fol ti, i thashë, s’dua të flas fare. Kishte merak: mos qesh ti kur të flas unë. Jo mo, unë nuk qesh fare. Mos qesh ti kur flas unë, tha, se ti e ke këtë zakonin që kur flas unë do të tallesh me çdo gjë, kjo është gjë serioze”.
“I thashë: do marrësh të pyesësh? Merr pyet, i thashë, se unë e mora Gramozin para. Pyet edhe ti, se mos ke ndonjë njeri me pyet. Kë të pyes? – tha. Unë i thashë: një të urtë, ti e ke të urtin tënd. Më zhgënjen, tha, ku e pyes atë unë. Ai më tha: do japë bekimin. Edhe e dha bekimin”, rrëfeu Rama.
(Intervistë e realizuar më 4 dhjetor 2025)



















