
Rama: Burgosja pa gjyq e Thaçit, padrejtësi ulëritëse në zemër të Europës
Kryeministri Edi Rama vizitoi sot në Hagë, ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili mbahet në paraburgim që prej nëntorit të vitit 2020.

Kryeministri Edi Rama vizitoi sot në Hagë, ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili mbahet në paraburgim që prej nëntorit të vitit 2020.
Në një reagim në rrjetet sociale, Rama bëri të ditur se e ka gjetur Thaçin të qetë, edhe pse me ndalime absurde të drejtash minimale.
Kryeministri e cilësoi mbajtjen e Thaçit dhe ish-liderëve të UÇK-së në paraburgim, “padrejtësi ulëritëse në zemër të Europës demokratike, me bekimin e me fondet e taksapaguesve të vendeve demokratike”.
Reagimi i plotë i kryeministrit Rama:
Sapo kam dalë nga godina ku luhet teatri i turpit të drejtësisë ndërkombëtare me Hashim Thaçin, i cili u rrëmbye pa gjyq e as akuzë nga zyra e Presidentit të Republikës, ku e kishte çuar populli i Kosovës, e me Luftën Çlirimtare të Kosovës, të cilën nuk e përdhos dot një farsë e nisur për trafik organesh nga kukullat ruse të Dumës së Putinit në Strasburg dhe e vazhduar me lloj-lloj absurditetesh e dëshmitarësh groteskë të akuzës ndërkombëtare në Hagë.
E kam gjetur komandantin në formë, të qetë e të buzëqeshur si çdo i pafajshëm me karakter të hekurt, edhe pse me ndalime absurde të drejtash minimale që i ishin hequr krahasimisht me herën e kaluar – një turp më vete me një fjalë! Kemi folur për familjet, për miqtë e përbashkët, për Shqipërinë e për Kosovën, për “Skënderbeun” e Aurel Plasarit, që ia pata çuar më parë, për librin e fundit të Kisingerit që ia çova këtë herë, e për dy a tre libra të tjerë nga moria e leximeve të tij në këtë vend, të cilin me të qeshur Hashimi e quan “institut”.
Nuk di ç’të them më për këtë padrejtësi ulëritëse në zemër të Europës demokratike, me bekimin e me fondet e taksapaguesve të vendeve demokratike, ndaj një populli europian që çliroi vetveten nga një regjim nacional-socialist, po edhe Europën nga një njollë e zezë apartejdi mu në kërthizën e saj për dekada me radhë.
Bekuar qofshin Republika e Kosovës, Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe të burgosurit e saj pa gjyq, prej më shumë se pesë vjetësh tanimë, në mes të Europës së lirisë, demokracisë e shtetit ligjor”.
Marrë nga ATSH

















