
Rama: Prokurimet Publike digjitale e bëjnë procesin të pandikueshëm
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se përdorimi i teknologjisë në prokurimet publike do të sjellë një përshpejtim eksponencial të procesit dhe do ta bëjë atë të pandikueshëm nga subjektivizmi.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se përdorimi i teknologjisë në prokurimet publike do të sjellë një përshpejtim eksponencial të procesit dhe do ta bëjë atë të pandikueshëm nga subjektivizmi.
Në Konferencën e VII Kombëtare për të Drejtën e Informimit, Rama u shpreh se realizimi i këtij projekti është në proces dhe nëse rezulton i suksesshëm do të jetë një novacion teknologjik i jashtëzakonshëm botërisht.
“Teknologjia do të nisë që nga mbledhja e dokumenteve, tek vlerësimi i autenticitetit të tyre dhe vlerësimi në tërësi i gjithë dosjes së ofertuesve. Por në çdo rast cilido që do të dojë të riverifikojë procesin manualisht dhe me dokumente do t’i ketë në dispozicion”, shtoi Rama.
“Nuk është diçka që do të ndodhë në icloud dhe do të dalë nga icloud-i rezultati i padiskutueshëm nga askush. Është një proces digjital që në rast se projekti do të jetë i suksesshëm do të jetë një novacion teknologjik i jashtëzakonshëm botërisht”, shtoi Rama.
Kryeministri theksoi se për këtë projekt po punohet ngushtësisht edhe me Microsoft dhe ekspertë të tjerë.
Rama e cilësoi teknologjinë një bekim të madh të kohës për vende si i yni, ku mund të bëhen kapërcime epokale që do të ishin të pamundura.
Kryeministri solli në vëmendje shërbimet publike, ku sipas tij, “ka ndodhur një ndryshim epokal në aspektin e integritetit të shërbimeve dhe transparencës”.
“95% e shërbimeve janë online dhe përmbushen online me shpejtësi dhe pa asnjë ndërmjetës dhe pa asnjë burokraci”, shtoi Rama.
Burimi ATSH


















