
Osmani në Bruksel, merr pjesë në Samitin e Liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për në Bruksel, ku do të marrë pjesë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për në Bruksel, ku do të marrë pjesë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor.
Në këtë Samit, njofton zyra e shtypit e Presidentes së Kosovës, do të diskutohet partneriteti ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, me theks të veçantë në procesin e zgjerimit të BE-së dhe avancimin e perspektivës evropiane të rajonit. Përgjatë samitit, Presidentja do të ketë takime me liderë të institucioneve të BE-së dhe do të ketë mundësi të bisedojë me liderë të tjerë pjesëmarrës lidhur me çështje me interes të Kosovës. Heqja e masave ndaj Kosovës dhe ecja përpara në rrugën e integrimit do të zënë prioritet gjatë diskutimeve.
Në agjendën e diskutimeve të Samitit përfshihen gjithashtu Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, forcimi i integrimit ekonomik me tregun e përbashkët të BE-së, si dhe çështje që lidhen me zhvillimin ekonomik, investimet dhe reformat.
Po ashtu, liderët do të diskutojnë për bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, përfshirë politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë, përballjen me kërcënimet hibride dhe kibernetike, si dhe menaxhimin e migracionit dhe sfidat e përbashkëta rajonale dhe evropiane.
Burimi ATSH



















