
Rama: Eksportet bujqësore në rritje, dyfish buxhet në Skemën Kombëtare
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se tashmë në vend është përmbysur raporti i eksporteve me importet në bujqësi.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se tashmë në vend është përmbysur raporti i eksporteve me importet në bujqësi.
Në fjalën e tij gjatë takimit me fermerë dhe sipërmarrës në Elbasan, Rama vuri në dukje se ky raport u gjet 1 eksport dhe 7 import, ndërsa sot është 1 me 3 duke renditur si objektiv një eksport dhe dy import për prodhimin bujqësor.
Rama u tha fermerëve se është vërtet me rëndësi ky takim në një moment kur sapo ka nisur një mandat i ri qeverisës të cilin e cilësoi për nga pesha e sfidave si mandatin më të vështirë të qeverisjes së vendit.
“Fatmirësisht këtë peshë na e kanë bërë më të lehtë ju dhe të gjithë ata si ju që na kanë dhënë plot 83 mandate që të kryejmë me sukses negociatat për anëtarësimin në BE dhe t’i vendosim vulën europiane transformimit të nisur tre mandate më parë”, tha Kryeministri.
“Tre mandate më parë nga kur sot kemi trefishuar prodhimin e serrave dhe si rezultat kemi faktikisht rritur ndjeshëm konkurrueshmërinë, në një sipërfaqe serrash që sot ka prekur 2200 hektarët. Tre mandate nga kur kemi arritur të rrisim në mënyrë të pamendueshme deri para disa vitesh më parë prodhimin e perimeve që i është afruar 1500 milionë tonëve. Tre mandate nga ku eksportet kanë filluar të rriten e diversifikohen duke kapur një vlerë ku vetëm në 9-mujorin e parë është më e lartë se sa e gjithë vlera e vitit të shkuar dhe duke u ofruar përmbushim gjysmë miliardë euro eksporte”, nënvizoi Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se “është më shumë me rëndësi që kemi sot një buxhet për vitin e ardhshëm jo thjesht më të lartë, por shumë më të lartë krahasuar me buxhetin e këtij viti dhe vetëm në skemën kombëtare shkojmë me një buxhet që është gati dyfishi i vitit që po përfundon”.
Ndërkohë që, vijoi Rama, e tha edhe ministri Salla për sa i përket skemës direkte të gjitha pagesat do të mbyllen brenda këtij viti 100%.
“Këto janë vetëm nga disa plot të dhëna që mund të sillen në vëmendje për transformimin e bërë në gjithë këto vite. Çfarë na intereson sot është çfarë duhet të bëjmë në vitet që kemi përpara dhe kur them duhet të bëjmë, duhet ta bëjmë patjetër bashkërisht sepse bujqësia më shumë se çdo sektor tjetër ka nevojë për këtë partneritet me qeverinë, ka nevojë për këtë partneritet me pushtetin vendor për të arritur të përballë sfidat e veta, të cilat janë shumë komplekse dhe të cilat varen nga faktorë që nganjëherë janë jashtë mundësive të njeriut për tu kontrolluar siç janë faktorët klimaterikë”, tha Rama.
Marrë nga ATSH



















