
“Këngët e Hafizesë” të kënduara nga Adriana Thanasi dhe sazet e Përmetit, një rizbulim i magjisë së këngëve qytetare me saze të Shqipërisë së Jugut
Projekti i riinterprtimit të “Këngëve të Hafizesë” ishte një ide e Qirjako Vangjelit dhe realizim i sazeve të Përmetit të drejtuara prej Tij, saze që përbëhen nga Usta Josif Shukallari në gërnetë, Jani Jorgo në violinë, Qirjako Vangjeli dhe Andi Ponoçi në llahutë, Ylli Muço në fizarmonikë dhe Genti në dajre.

Nga Akademik Prof. Dr. Vasil S. Tole
Ka një perceptim të përgjithshëm, që hapja ndaj kulturave globale do të rrudhte peshën dhe rëndësinë që kanë kulturat etnike në jetën e një vendi. Akoma më e prekshme kjo gjë është kur bëhet fjalë për ballafaqime me kulturat e mëdha muzikore, e si të tilla, duket se nga pesha e tyre shtypet gjithshka tjetër që gjallon në kontekste lokale.
Pavarësisht kësaj, në rastin e muzikës iso polifonike qytetare me saze të Shqipërisë së Jugut, nuk ka ndodhur kështu.
Nga ballafaqimi me të ndryshmen, kultura muzikore me saze është bërë akoma më prezente në vend dhe jashtë tij, falë trashëgimisë së madhe të mjeshtrave të shek XX, si Usta Laver Bariu, Remzi Lela-Çobani, Novruz Nure-Lulushi etj, si dhe disa arritjeve më të fundit, ndër to CD ja e “Këngëve të Hafizesë”, të kënduara nga Adriana Thanasi dhe sazet e Përmetit të drejtuara nga Qirjako Vangjeli.
Çfarë përfaqëson kjo CD me titullin intrigues “Këngët e Hafizesë”?
Bëhet fjalë për një riinterpretim të një buqete këngësh që ka pas kënduar këngëtarja emërmadhe e sazeve të Leskovikut në gjysmën e parë të shek XX, të njohura me emrin e SAZET E SELIMIT DHE HAFIZESË të cilët e zhvilluan veprimtarinë e tyre në vitet 1920-1940 në Shqipëri dhe në Stamboll, Turqi.
Zgjodha fjalën “buqetë” pikërisht për të sjellë një aromë të tyre, ashtu si buqetat e luleve sjellin kur në to bëhen së bashku lulet më të bukura e më të mira njëherësh. Pllakat me këngët dhe meloditë e tyre krijuan traditën e parë të muzikës qytetare të Shqipërisë së Jugut, e si të tillë e renditën emrin e tyre në panteonin e kësaj muzike.
Sazet përbëheshin nga Selim Asllan Leskoviku me gërnetë, Hafizeja me violinë dhe këngëtare dhe vëllezërit dhe kushërinjtë e Selimit me llahutë e kanun. Pikërisht, një buqetë këngësh prej repertorit të tyre të regjistruara në pllakat e gramafonit, ato më përfaqësueset u përzgjodhën me profesionalizëm prej Qirjako Vangjelit dhe sazeve të Përmetit për tu riinterpretuar nga Adriana Thanasi, si një Hafize e re, e shoqëruar nga kolegët e saj Robert Tralo, Luljeta Ilia dhe Evgjeni Çulli.
Për ne jugorët, e veçanërisht për leskoviqarët, përmetarët, kolonjarët dhe korçarët, emri i Hafizesë ishte dhe mbetet një legjendë e interpretimit. E them këtë pasi këngët e Hafizesë shquhen për bukurinë melodike e njëherazi për shtrirjen e gjerë vokale me të cilën përballet këngëtari.
Aspekt tjetër janë metret komplekse, ndër më të veçantët e të çuditshmit, si psh 24/8 ( i përbërë nga bashkësia 9+8+7/8), apo 8/8 (5/8 +3/8) etj, si dhe kompleksiteti i kombinimeve që krijohen mes marrësit të këngës dhe kthyesit të saj (kjo e ndikuar edhe nga fakti që marrësi dhe kthyesi ishin po të njëjtët që këndonin dhe interpretonin në instrumente), çka kishte mundësuar që linjat virtuoze të instrumenteve të kalonin natyrshëm në meloditë e këngëtarëve etj.
Mjafton të kujtojmë kryekëngë të tilla si “Një natë janari”, “Goc e Berberit”, “Sykaleshe”, “Lace Kapedani”, “Trëndelinë moj”, “Syri yt porsi ulliri” etj.
Disqet e këngëve të saj i gjeje në shtëpitë e përmetarëve bashkë me gramafonët që i riprodhonin ato në festa e gëzime. Një koleksion mbresëlënës disqesh të saj ju dhuruan shtëpisë së kulturës në Përmet në fund të viteve 1980 nga qytetari Vangjel Mango, disqe që shërbyen si shtysë që Adriana ta njihte këtë këngëtare e të këndonte për herë të parë këngën “Sykaleshe”, në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës, 1983, bashkë me Robert Tralon dhe sazet e Përmetit të drejtuara nga Usta Laver Bariu.
Projekti i riinterprtimit të “Këngëve të Hafizesë” ishte një ide e Qirjako Vangjelit dhe realizim i sazeve të Përmetit të drejtuara prej Tij, saze që përbëhen nga Usta Josif Shukallari në gërnetë, Jani Jorgo në violinë, Qirjako Vangjeli dhe Andi Ponoçi në llahutë, Ylli Muço në fizarmonikë dhe Genti në dajre. Qirjakoja është djali i Llazar Vangjelit, ose xha Llazos, koreografit emërmirë të Përmetit dhe njëherazi pjestar me violinë në sazet e usta Laver Bariut prej viteve 1980. Falë punës së tij, në këto 40 vitet e fundit janë evidentuar një sërë talentesh të interpretimit të muzikës popullore përmetare, këngëtarë e instrumentistë. Unë e njoha në punë e sipër kur isha përgjegjës i muzikës në shtëpinë e kulturës në Përmet, dhe e them me plot gojën që është fat që artistë si Qirjakoja, ose Kuli siç i themi ne miqtë e tij, vijojnë angazhimet artistike në këtë trashëgimi muzikore, njohur si pasuri botërore nga UNESCO. Sot me qartësi e bindje Qirjako dhe sazet vijojnë traditën e madhe të sazeve të Përmetit që kulmuan me emrin e madh të Usta Laverit. Thelbi i këtij rikthimi tek tradita e madhe e sazeve dhe tek figura e Hafizesë, ka dy aspekte: së pari ruajtjen e një vijimësie historike të kësaj tradite duke risjellë këto perla në një realitet të ri; e së dyti, në nevojën që kanë formacionet e sazeve të Shqipërisë së Jugut, për ta njohur këtë trashëgimi e cila mbart brenda saj, ndër të tjera edhe një shkollë interpretimi, aq të domosdoshme për ta njohur sot, për të vijuar më tej. Kjo e dyta është shumë e domosdoshme kur mendon se pas viteve 1990, duket se ka një lloj shkëputjeje me këtë traditë të madhe, e cila pulson si e tillë vetëm në pak formacione sazesh, ku sazet e Përmetit janë ndër më kryesoret. Prova më e fundot për këtë, është edhe koncerti me kabatë e mjeshtrave të sazeve si Selim Leskoviku, Bilbil Vlora, Vangjel Leskoviku, Medi Përmeti, Usta Laveri, Çobani, Lulushi etj, të gjitha të interpretuara nga një gërnetar i vetëm, Usta Josif Shukallari, po i sazeve të Përmetit, program që do të bëhet i njohur së shpejti për publikun e gjerë. Kësisoj, “Këngët e Hafizesë” të kënduara nga Adriana Thanasi dhe sazet e Përmetit, janë një rizbulim i magjisë së këngëve qytetare me saze të Shqipërisë së Jugut për gjeneratat e reja të shqiptarëve, e si të tilla vlejnë si për të rikujtuar Hafizenë e madhe, e po aq për të çmuar këngëtare si Adriana me shokë e shoqe, e padyshim sazet e Përmetit, pa të cilat zor se edhe ky koncert e CD e mrekullueshme do të mund të realizohej.
(Marrë nga gazeta “Telegraf”)


















