
Gara për kreun e SPAK, Braho: Do të garantoj zbatimin e parimit të barazisë para ligjit
Në Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP) u zhvillua sot dëgjesa publike me kandidatët për drejtues të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Në Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP) u zhvillua sot dëgjesa publike me kandidatët për drejtues të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Prokurori Klodian Braho, ishte i fundit në radhën e kandidatëve, i cili paraqiti platformën e tij për drejtimin e Prokurorisë së Posaçme.
Braho tha se gjatë përvojës si prokuror i posaçëm ka ndjekur hetime dhe ka përfaqësuar akuzën në gjyq për një sërë çështjesh penale, të përfunduara me vendime gjyqësore dënimi, duke përfshirë funksionarë publikë të çdo niveli, nga niveli bazë, drejtor, kryetar bashkie, sekretarë të përgjithshëm, zëvendësministër dhe ministër.
Sipas tij “ky kandidim për drejtimin e SPAK është një angazhim për të konsoliduar dhe forcuar më tej institucionin më të rëndësishëm të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri”.
Ai tha se vizioni i tij “përfshin organizmin dhe konsolidimin e Prokurorisë së Posaçme, ndërtimin e një strukture model e aftë dhe e përgatitur për sfidat e reja të krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke ofruar rezultate të matshme, dhe duke respektuar standardet ndërkombëtare të drejtësisë, duke fituar besimin e qytetarëve dhe respektin e tyre si dhe të institucioneve në Shqipëri dhe parterëve ndërkombëtarë”.
Braho theksoi se SPAK ka një kornizë strategjike të miratuar që përbehet nga tri strategji të veçanta, që janë: plani strategjik 2024-2027, strategjia për edukimin dhe strategjia për reduktimin e çështjeve të mbartura.
“Nëse do jem drejtues i kësaj prokurorie do të ndërmarr masat që të vë në zbatim të këtyre tre dokumenteve të cilat janë të mirëmenduar dhe me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë”, tha ai.
Për sa i përket ushtrimit të ndjekjes penale, Braho tha se “së pari, në cilësinë e drejtuesit të SPAK do të garantoj zbatimin e parimit të barazisë para ligjit dhe se askush nuk është mbi ligjin”.
“Prokuroria e Posaçme do të vazhdojë që të jetë e aftë të ushtrojë ndjekje penale, të ngrejë akuza të bazuara në ligj dhe në prova ndaj kujtdo që ka kryer vepër penale, pavarësisht statusit të tyre. Ky parim do të gjejë zbatim edhe në hetimin paraprak duke shmangur perceptimet për drejtësi selektive”, tha ai.
Braho shtoi më tej se “do të kryejë veprimet e nevojshme për të siguruar dhe mbrojtur pavarësinë e prokurorëve të posaçëm”.
“Do të mbështes secilin prokuror në kryerjen e detyrës të pandikuar nga faktorë të jashtëm dhe të brendshëm, sa kohë realizojnë detyrën e tyre në mbrojtjen e interesit publik”, tha ai.
Gjithashtu, Braho tha se “do të merren masat e nevojshme që çdo çështje penale, të korrupsionit apo krimit të organizuar, të shoqërohet me hetime financiare dhe pasurore me qëllim konfiskimin e produkteve të krimit”.
Sipas tij do të ndërmerren masat e nevojshme për rritjen e standardeve profesionale të hetimeve.
“Mjetet e kërkimit të provës, duhet të jenë në çdo rast me parimin e proporcionalitetit”, u shpreh Braho.
Sa i përket masave të sigurisë “arrest me burg”, Braho tha se “ato janë zbatuar në një masë të vogël në raport me numrin e përgjithshëm të çështjeve apo të pandehurve”.
Braho shtoi “do të ndërmerren masa të nevojshme në lidhje me cilësinë e akteve që përgatiten prej tyre në fazën e hetimeve paraprake”.
/Marrë nga ATSH



















