Rama: Urdhri i Skënderbeut rilind pas 100 vitesh me hirin e fituar të një amaneti evropian

U përkujtua sot 100-vjetori i Urdhrit të Skënderbeut, në një mbrëmje solemne në Pallatin e Kongreseve, në nderim të vlerave tona kombëtare, dhe në vlerësim të njerëzve që frymëzojnë të tashmen dhe sendërtojnë të ardhmen tonë të përbashkët europiane.


U përkujtua sot 100-vjetori i Urdhrit të Skënderbeut, në një mbrëmje solemne në Pallatin e Kongreseve, në nderim të vlerave tona kombëtare, dhe në vlerësim të njerëzve që frymëzojnë të tashmen dhe sendërtojnë të ardhmen tonë të përbashkët europiane.

Në mbrëmjen, ku ishin të pranishëm Presidenti i Republikës Bajram Begaj, Kryeministri Edi Rama, si dhe personalitete të tjera të shquara të fushave të ndryshme, u shfaq fillimisht dokufilmi “Urdhri i Skënderbeut në Qindvjetshin e tij – Rilindja e një shenje dalluese të Shqipërisë Europiane” shoqëruar me parakalimin dhe vendosjen në qendër të skenës të Urdhrave shqiptarë të para një shekulli dhe të këtij shekulli, të prirë nga Gjerdani i nderit të Shqipërisë, i vitit 1925.

Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Edi Rama theksoi se medaljet mbajnë emrin e heroit tonë kombëtar, i cili ishte “pajtori i historisë sonë dhe shqiptari që hodhi farën e shtetit në tokën e lirisë”.

“Në çdo kthesë të historisë, kur shqiptarët janë mbledhur a janë gjendur bashkë, për të vendosur një gur të ri në rrugën e gjatë të përpjekjes kombëtare, apo për të ngritur një shtyllë të re të shtetësisë sonë të brishtë, ata i kanë kthyer sytë, me vetëdije apo pa vetëdije, nga figura që qëndron në zemër të qenies sonë si subjekt kombëtar e shtetëror: Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

“Ai ishte pajtori i historisë sonë, shqiptari që hodhi farën e shtetit në tokën e lirisë; burri që zgjodhi luftën e drejtë në një epokë të fundosur në padrejtësi; prijësi që mbrojti atdheun me gjenialitet ushtarak e diplomatik; pagëzori i identitetit tonë kombëtar dhe i përkatësisë sonë europiane, që mu ashtu siç shkruan Ismail Kadareja, “Një emër Gjergj e kish si diellin… Tjetrin si hënën, Skënderbe.”

“Sot, emri i tij na mbledh sërish këtu, njëqind vjet pas krijimit të Urdhrit të Skënderbeut, jo vetëm për të risjellë në kujtesë një akt shtetformues nga agimi i jetës republikane të Shqipërisë, por për të mbrojtur dhe nderuar idenë e meritës, me dinjitetin e rilindur të sistemit tonë të urdhërave dhe medaljeve, të vetëdijshëm se, siç thoshte Montesquieu, “Nderi është parimi që vë një popull në lëvizje” dhe kur nderohet merita, kombi e njeh më mirë vetveten”, tha Rama.

Kreu i qeverisë theksoi më tej se “Urdhri i Skënderbeut ishte një masë graniti e hedhur në themelet e Shqipërisë së re, për të vlerësuar meritën dhe për të nxjerrë në pah forcën e shembullit. Një instrument në shërbim të një sistemi vlerash, ku nuk është titulli që të bën të nderuar, por është nderimi që e bën meritën të përjetshme”.

“Urdhri i Skënderbeut, i mbijetoi shpatës së monarkisë, zjarrit të diktaturës dhe baltës së tranzicionit drejt demokracisë, ku sistemi i urdhrave dhe i medaljeve u kthye nga një sistem nderimi dhe lartësimi i shërbëtorëve të atdheut, në një sistem vlerësimi për përuljen ndaj pushtetit të një njeriu të vetëm dhe pastaj degradoi keq fare nga një farsë teneqexhinjsh, që iu përulen shtetit, injorancës së tyre” u shpreh Rama.

Rama theksoi më tej se për vite me radhë dekoratat dhe medaljet humbën simbolikën e tyre.

“Nëse dikur të dekoruarit, ishin ata që ndihmuan kombin të ngjitej lart, e më pas u bënë ata që ndihmonin pushtetin të mbahej fort, në fund nuk e mori vesh të pari të dytin, aq sa dhe të vdekurit, u thirrën në mungesë për të marrë dekorata të zhveshura, nga çdo kuptim e lë më pastaj hijeshinë”, vuri në dukje Rama.

“Kështu urdhrat dhe medaljet humbën simbolikën, humbën bukurinë, kuptimin në hapësirë dhe kohë dhe humbën dhe çdo kontakt me konstelacionin evropian të urdhrave dhe medaljeve, duke u katandisur në shëmbëlltyra metalike të një degjenerimi të thellë institucional”, tha Rama.

Rama theksoi se “kjo katandisje na shtyu të ndërmerrnim një reformë të thellë të sistemit të urdhrave dhe medaljeve, jo si retushim formal, por si një akt themelor për të rivendosur Republikën në kontakt me simotrat e veta evropiane dhe për ta rivendosur në lartësinë e saj të vlerësimit dhe meritës, duke u mbështetur në traditën dhe praktikat e konsoliduara evropiane”.

“Nderimi publik, për meritën si një akt i spikatur institucional, mbart dhe një përgjegjësi të dyanshme morale, për kë e bën atë, në emër të Republikës dhe për këdo që e merr atë prej Republikës”, shtoi Rama.

Sipas Ramës, krijimi i kancelarisë së Urdhrave dhe Medaljeve ishte hapi i parë për të ndaluar devijimin e mëtejshëm dhe për të hapur rrugën e bashkimit më Evropën.

“Kjo kancelari është shtëpia e munguar e kujtesës dhe kujdesit për vlerat e larta të qytetarësisë dhe shtetësisë, të mishëruara në urdhra dhe medalje. Ajo do të jetë një arkiv i gjallë, i kontributeve që e bëjnë Shqipërinë më të mirë një muze i meritës së lartësuar në nderim dhe vatër frymëzuese për shoqërinë dhe gjeneratat e reja”, tha Rama.

Kreu i qeverisë nënvizoi se “kancelaria do të kujdeset po ashtu për emetimin e medaljoneve me vlerë, ku revokimi i ngjarjeve dhe i datave historike, kërkon jo vetëm përkujtime të veçanta, por edhe dëshmitarë të veçantë që kthehen në ruajtës dhe trashëgimtar të kujtesës”.

Rama shtoi se “në këtë 100-vjetor nuk po kremtojnë thjesht një ngjarje shtetformuese, por po rindezim një dritë por rilindim një institucion dhe mbi të gjitha po risjellim përsëri në jetë një mesazh 100-vjeçar që Shqipëria e nesërme nuk mund të ndërtohet pa njerëz që e duan meritën më shumë se çdo pasuri dhe respektin më shumë se çdo shpërblim”.

“Një mesazh të ngjashëm bart si arsye të qenies së vet i gjithë sistemi Evropian i Urdhrave dhe Mjeljeve, sipas të cilit atdheut që duhet lënë pas nuk është një vend ku pasuri bëhet kriter respekti, po një hapësirë bashkëjetesë ku respekti fitohet me kontribut dhe përgjegjësi ndaj tij”, tha Rama.

Rama tha se Urdhri i Skënderbeut po rilind sot pas 100 vitesh me hirin e fituar të një amaneti evropian.

“Republika e Shqipërisë i bashkohet sot atij sistemi pas 80-vjetësh ndarje dhe endje në rrugën qorre të diktaturës dhe banalitetit dhe nëpër shtigjet pa rrugë, të tranzicionit me të gjithë banalitetin e vet. Urdhri i Skënderbeut lindi si një krijesë plot hire e Republikës në 1925 dhe rilind sot në 2025 më hirin e fituar të një amaneti evropian më në fund të vënë në vend.

“Rroftë Urdhri i Skënderbeut, Rroftë Republika e Shqipërisë, dhe rroftë merita me gjithë shqiptarët që mëshirojnë atë!”, tha Rama.

Marrë nga ATSH

Lexo më shumë nga

Begaj: “Urdhri i Skënderbeut”, rivendosje standardi për të dalluar kontributin autentik

Me hyrjen në fuqi të ligjit të ri “Për Dekoratat në Republikën e Shqipërisë”, Presidenti Bajram Begaj, dha sot dekoratat…

Global 360

Osmani pret Begajn: Kosova e Shqipëria, gjithmonë pranë njëra-tjetrës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot homologun e saj nga Shqipëria, Bajram Begaj

Diplovista

Rama mbron Shqipërinë në rrugën drejt BE-së: Krimi është problem kudo, edhe Brukseli nuk është më mirë

Në një intervistë për Euronews, kryeministri Edi Rama tha se vendi i tij e meriton anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

“Bashkë drejt integrimit evropian!”

Presidenti Bajram Begaj, përcolli sot urimin e tij për të gjithë shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, në të gjitha trevat rajonale…

Profil

Elisabeta Katiaj – Zëri i gruas në biznes dhe në diasporë

Si nënkryetare e Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare, Katiaj ka ndihmuar në ngritjen e një platforme të fortë për…

Masmedia

Begaj: “Urdhri i Skënderbeut”, rivendosje standardi për të dalluar kontributin autentik

Me hyrjen në fuqi të ligjit të ri “Për Dekoratat në Republikën e Shqipërisë”, Presidenti Bajram Begaj, dha sot dekoratat…