
Rama: Mbi 100 mijë metra katrorë hapësirë publike e çliruar në Tiranë
Kryeministri Edi Rama në episodin e 9-të të podkastit “Flasim”, u ndal edhe tek nisma për lirimin e hapësirave publike duke theksuar se puna për çlirimin e tyre nuk do të ndalet.

Kryeministri Edi Rama në episodin e 9-të të podkastit “Flasim”, u ndal edhe tek nisma për lirimin e hapësirave publike duke theksuar se puna për çlirimin e tyre nuk do të ndalet.
“Duke e rikthyer sërish vëmendjen tek hapësirat publike, edhe gjatë kësaj jave, puna për çlirimin e tyre vazhdon. Shtesat vend e pa vend, uzurpimet e pajustifikueshme dhe të patolerueshme vazhdojmë t’i përballim, pa u ndalur për asnjë moment”, tha Rama.
Ndërkohë që, vijoi Kryeministri, në Tiranë ka ecur më tej puna dhe sasia e hapësirave të çliruara ka kapërcyer mbi 100 mijë metra katrorë.
“Në Vlorë, ku problematika është jo e lehtë, puna ka ecur me çlirimin e një segmenti kyç, jo vetëm për Vlorën, por edhe për industrinë tonë kombëtare të turizmit, që është rruga Transballkanike, një zonë e rëndësishme, ku qytetarëve iu janë rikthyer sërish ambientet e tyre të përbashkëta, natyrisht kanë nevojë të rikualifikohen, por njëkohësisht edhe të gjithë atyre që masivisht kalojnë nga ajo rrugë, do t’ju çelen sytë, kur i thonë fjalës”, tha Rama.
Nisma për lirimin e hapësirave publike i paraprin zbatimit të programit “Rilindja Urbane 2.0”, i cili synon të kthejë ligjshmërinë në territor, duke sjellë zhvillim për komunitetet.
Në këtë kuadër, kryeministri Rama ka paralajmëruar se po hartohet edhe Rregullorja Kombëtare në të cilën do të përcaktohen me ligj hapësirat që mund të shfrytëzojë biznesi.
Marrë nga ATSH



















