
Rama: Fokusi tek mjedisi dhe pyjet shumë herë më i madh, pjesa më e vështirë e negociatave
Kryeministri Edi Rama u shpreh sot, se fokusi te mjedisi dhe pyjet për gjithë vitet që vijnë përkojnë me momentin histori të përpjekjes për anëtarësimin e vendit tonë në familjen evropiane.

Kryeministri Edi Rama u shpreh sot, se fokusi te mjedisi dhe pyjet për gjithë vitet që vijnë përkojnë me momentin histori të përpjekjes për anëtarësimin e vendit tonë në familjen evropiane.
Nga aktiviteti “Për ty natyrë”, ku të pranishëm ishin edhe ministri i Mjedisit Sofjan Jaupaj, drejtoresha e AKZM-së, Daniel Pirushi, partnerë të huaj dhe dashamirës së mjedisit, Rama tha se “fokusi tek mjedisi, tek pyjet dhe mirëmenaxhimi i tyre, fokusi tek Zonat e Mbrojtura, te fuqizimi i një ekonomie të re të qëndrueshme të bazuar tek natyra do të jetë shumë herë më i madh se sa deri më sot”.
“Edhe për shkak se sfida që lidhet me ato pjesë të negociatave që prekin mjedisin, është mbase më e vështira sepse kërkesat janë maksimale, standardet maksimale dhe përtej përmirësimeve të jashtëzakonshme që ne kemi bërë në këtë aspekt po të nisemi nga ku u nisëm jemi shumë mbrapa po të llogarisim se ku duam të mbërrijmë në një kohë shumë të shkurtër”, tha Rama.
Kryeministri Rama e cilësoi këtë si një kauzë e përbashkët, ndërsa theksoi se duhen gjetur mënyra të reja për të hapur më shumë kanale komunikimi, për të ndërtuar më shumë ura me komunitetin e njerëzve që kanë një dedikim të veçantë për mjedisin.
“Duke qenë në nevojën për të rritur ekonominë, për të krijuar punësim më cilësor, për të modernizuar infrastrukturën, shpeshherë nevoja për të mbrojtur mjedisin krijon tension dhe shpeshherë njerëzit që avokojnë për mjedisin duken si elementë turbullues”, tha Rama.
“Dua që të gjithë ta dinë që unë kam shumë respekt për ta dhe në tërësi përtej tensionit të pashmangshëm që krijohet pasi dikush e sheh nga këndi i vet, dikush nga një tjetër të njëjtën gjë, është e padiskutimtë që presioni i grupit të interesit që lidhet me këtë kauzë është shumë i nevojshëm dhe shumë i shëndetshëm për shoqërinë dhe i dobishëm për qeverinë”, cilësoi Rama.
Sipas Kryeministrit Rama, ky grup interesi është shumë i rëndësishëm dhe siç u shpreh ai, ky grup duhet të jetë aktiv dhe i zëshëm.
“Përtej faktit që zëri i ngritur i mjedisorëve krijon tension, por tensioni është një nga arsyet pse ata jetojnë. Për të ngritur në një nivel tjetër menaxhimin e pyjeve duke u bazuar në praktikat më të mira evropiane. Dashnorët e mjedisit po u kërkove ndihmë janë të gatshëm të të ndihmojnë dhe të të lidhin këmbët me fije bari”, pohoi Rama në fund të fjalës së tij.
Marrë nga ATSH



















