
Sala: Për herë të parë regjistër kombëtar për produktet biocide
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala prezantoi sot në Kuvend, projektligjin “”Për shërbimet dhe produktet biocide në shëndetin publik”, të ndryshuar”.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala prezantoi sot në Kuvend, projektligjin “”Për shërbimet dhe produktet biocide në shëndetin publik”, të ndryshuar”.
Sala tha se sot prezantohet një projektligj me rëndësi të veçantë për shëndetin publik.
“Edhe pse në pamje të parë duket një paketë e specializuar teknike, realiteti është se ky ligj prek jetën e përditshme të të gjithëve. Ky është një ligj që vendos në qendër të tij sigurinë e qytetarit. Produktet biocide përdoren në spitale, në shtëpitë tona, në industrinë ushqimore ose në ambiente kolektive. Për këtë arsye, standardet për to duhet të jenë të qarta, të unifikuara dhe të garantuara, në mënyrë që mbrojtja e shëndetit publik të mos vijë në kurriz të sigurisë së qytetarëve”, tha Sala.
”Për më shumë se dhjetë vjet, Shqipëria ka funksionuar me një kuadër ligjor të pjesshëm, jo plotësisht të harmonizuar me legjislacionin europian. Boshllëqet ligjore, kanë sjellë një proces jo të strukturuar e transparent për të vlerësuar sigurinë dhe cilësinë e këtyre produkteve.
Sot ne e mbyllim këtë boshllëk. Ky projektligj e vendos Shqipërinë në të njëjtin standard me Bashkimin Europian, duke adoptuar parimet e rregulloret e BE-së dhe duke sjellë një model modern dhe të qëndrueshëm. Projektligji që po shqyrtohet sot, është një shembull i mirë që integrimi i standardeve europiane shtrihet në çdo qelizë. Ai sjell mbrojtjen e shëndetit publik dhe lehtësimin e tregtisë sipas standardeve europiane”, vijoi ajo.
Ministrja Sala nënvizoi se ky projektligj është i rëndësishëm para së gjithash, për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve. Sipas Salës, “produktet biocide nuk janë produkte të zakonshme pasi përmbajnë substanca aktive që mund të jenë të dëmshme kur nuk përdoren apo nuk kontrollohen siç duhet”.
“Mungesa e kritereve të detyrueshme krijonte mundësinë që në treg të depërtonin produkte të pasigurta. Me këtë ligj, çdo produkt i tillë do të kalojë një proces të qartë vlerësimi, duke u testuar efikasiteti, përbërja dhe rreziqet e mundshme”, tha Sala.
“Ky projektligj i jep fund edhe fragmentimit të deritanishëm. Për herë të parë krijohet një regjistër kombëtar i produkteve biocide, një databazë transparente ku çdo qytetar, çdo biznes, çdo institucion publik mund të verifikojë se cilat produkte janë të autorizuara dhe cilat jo.
Për herë të parë, sigurojmë që produktet biocide, që do të tregtohen në Republikën e Shqipërisë, janë të njëjta e me të njëjtat standarde me ato që tregtohen në secilin nga vendet e Bashkimit Europian, qofshin këto produkte vendase apo të importuara”, pohoi Sala.
Ministrja tha se me miratimin e projektligjit, autorizimi për vendosjen në treg të produkteve biocide do të lëshohet vetëm për produkte biocide të prodhuara në vend, por të autorizuara paraprakisht në një nga vendet e Bashkimit Europian dhe produkte biocide të importuara dhe të autorizuara paraprakisht në njërin nga vendet e Bashkimit Europian, pavarësisht vendit të origjinës.
“Projektligji siguron vendosjen e një ekuilibri të drejtë ku nga njëra anë, rritet kontrolli dhe siguria; nga ana tjetër, bizneset nuk rëndohen. Kemi propozuar adresimin e mangësive të ndeshura ndër vite ku procedurat ligjore nuk ishin të qarta dhe proceset ishin të paparashikueshme. Për çdo subjekt që importon apo prodhon biocide vendoset detyrimi për të pasur një person teknik të kualifikuar, çka rrit profesionalizmin dhe shmang abuzimet që vijnë nga mungesa e ekspertizës”, tha Sala.
“Kemi dëgjuar me vëmendje të gjitha shqetësimet e ngritura gjatë komisioneve parlamentare. Disa prej tyre lidhen me ngarkesën që mund të krijojnë vlerësimet laboratorike. Dua të theksoj se ligji e parashikon qartë që analizat kryhen vetëm kur ka dyshim të arsyeshëm për rrezik ose për cilësi të pamjaftueshme. Pra, nuk kemi të bëjmë me shpenzime të panevojshme për biznesin, por me një mekanizëm mbrojtës që aktivizohet vetëm kur kërkohet. E kjo është një garanci për sigurinë e qytetarëve”, shtoi ajo.
Sipas Salës, afatet e zbatimit janë menduar në mënyrë realiste, duke krijuar një periudhë tranzitore që i jep kohë tregut të përshtatet natyrshëm me kërkesat e reja.
Sala tha se “sa i përket administratës publike, ministria jonë ka nisur tashmë një proces trajnimi për inspektorët dhe për specialistët që do të jenë të përfshirë në zbatimin e ligjit”.
“Ne sigurojmë se struktura jonë është gati për ta zbatuar këtë ligj me profesionalizëm dhe për të garantuar që çdo produkt i hedhur në treg të jetë i sigurt dhe i kontrolluar. Ky projektligj sjell mbrojtje të drejtpërdrejtë të shëndetit publik dhe njëkohësisht rrit cilësinë e produkteve që qarkullojnë në treg, duke krijuar konkurrencë të ndershme dhe duke shmangur hyrjen e produkteve të dyshimta që dëmtojnë konsumatorin dhe çekulibrojnë tregun”, tha Sala.
Ministrja Sala shtoi, në përfundim të fjalës në Kuvend, se me këtë projektligj sillet një model europian i kontrollit të sigurt.
“Ajo është garanci për qytetarët, është një investim në sigurinë e familjeve tona, është një mburojë për shëndetin publik dhe një hap i qartë drejt modernizimit të tregut shqiptar. Sot vendosim të garantojmë standarde europiane në një fushë që është thelbësore për cilësinë e jetës së qytetarëve”, tha Sala.
Marrë nga ATSH


















