
Urtësia kineze që frymëzon harmoni mes qytetërimeve
Presidenti i Kinës, Xi Jinping, prezantoi Nismën e Qytetërimit Global të (GCI) në mars të vitit 2023, ku theksoi se ajo ofron një vizion dinjiteti dhe vlerësimi, i cili nis nga respekti për vetveten dhe zhvillohet në respekt të ndërsjellë.

Nga Dr. Marsela Musabelliu
Drejtore Ekzekutive e Institutit të Studimeve të Globalizimit (AIGS)
Presidenti i Kinës, Xi Jinping, prezantoi Nismën e Qytetërimit Global të (GCI) në mars të vitit 2023, ku theksoi se ajo ofron një vizion dinjiteti dhe vlerësimi, i cili nis nga respekti për vetveten dhe zhvillohet në respekt të ndërsjellë. Nisma shtrohet duke premtuar një të ardhme të përbashkët për ata që zgjedhin të bashkohen e jo të jetojnë në konflikt, për ata që besojnë në paqe dhe mirëqenie.
Kjo nismë promovon respektin për larminë e qytetërimeve, vlerat e përbashkëta të njerëzimit, si dhe ruajtjen e zhvillimin përmes vlerësimit të trashëgimisë kulturore, duke forcuar shkëmbimet dhe bashkëpunimin midis popujve në nivel ndërkombëtar. Të gjitha qytetërimet e krijuara nga shoqëria njerëzore janë të çmuara dhe madhështore. Ato përbëjnë burimin e forcës për modernizimin e çdo vendi dhe themelin e identitetit të tij unik. Kjo nismë kineze përcjell një mesazh të qartë: çdo vend ka të drejtën të zgjedhë rrugën e vet të zhvillimit drejt modernizimit.
Sfondi i Nismës së Qytetërimit Global
Nisma e Qytetërimit Global lindi si përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj realiteteve të reja të botës. Në vitet e fundit, me përshkallëzimin e konflikteve gjeopolitike, konceptet e ashtuquajtura “përplasje e qytetërimeve” dhe “epërsi e qytetërimeve” janë rikthyer fuqishëm në debatin publik, të nxitura dhe të fryra nga disa politikanë. Kjo klimë ka thelluar ndasitë, ka ushqyer mosbesimin dhe ka penguar seriozisht bashkëpunimin ndërkombëtar. Në këtë realitet të brishtë, vendet dhe qytetërimet e ndryshme kanë një nevojë urgjente për të bashkuar forcat dhe për të përballuar sfida globale që prekin drejtpërdrejt të ardhmen dhe fatin e mbarë njerëzimit. Pikërisht në këtë kontekst, Nisma e Qytetërimit Global u shfaq si një domosdoshmëri historike, me rëndësi të thellë praktike dhe vlerë reale për botën e sotme. Kjo nismë mbështetet mbi parime të qarta që synojnë ndërtimin e një bote më të drejtë dhe më të qëndrueshme. Këto parime krijojnë jo vetëm një bazë morale për bashkëjetesë paqësore, por edhe një rrugë konkrete për zbatimin e saj, duke e bërë këtë një nismë konstruktive, të realizueshme dhe të qëndrueshme në kohë. Duke mbrojtur të drejtën e çdo qytetërimi për të ekzistuar, për t’u zhvilluar dhe për të ndjekur rrugën e vet të zhvillimit, kjo nismë i përgjigjet në mënyrë të drejtpërdrejtë nevojave të forta të komunitetit ndërkombëtar. Që nga fillimi, ajo ka treguar një energji të jashtëzakonshme dhe ka ngjallur reagime pozitive dhe entuziaste në mbarë botën.

Karnavali i Kulturës Aziatike/Foto nga CMG
Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, bota hyri në një epokë globalizimi të shpejtë, por pa arritur kurrë paqe të vërtetë. Mentaliteti i Luftës së Ftohtë, ndarjet ideologjike dhe logjika e përplasjes mes blloqeve nuk janë zhdukur, por përkundrazi janë ringjallur vitet e fundit. Në rajone të tjera të botës, ndarja artificiale mes “miqve” dhe “armiqve” në emër të “vlerave”, si dhe politika e përkrahjes së njërës palë kundër tjetrës, vazhdojnë të hedhin hije të rënda mbi paqen dhe zhvillimin global.
Pikërisht për këto arsye, ekziston një pritshmëri e fortë se Nisma e Qytetërimit Globale, së bashku me nismat e tjera të shpallura nga Pekini zyrtar, do të sjellin stabilitet të qëndrueshëm dhe do të hapin horizonte të reja shprese në një botë të trazuar dhe në transformim. Po ashtu, ekziston një besim i thellë se modernizimi kinez, si një formë e re e përparimit njerëzor, do të përthithë vlerat më të mira të qytetërimeve të tjera dhe do ta bëjë “kopshtin e qytetërimeve botërore” më të gjallë, më të pasur dhe më të bukur.
Urtësia mijëvjeçare kineze e shprehur në letër
Me një histori që shtrihet mijëra vite në lashtësi, kultura tradicionale kineze është e thellë, e pasur dhe me një bukuri që magjeps. Ajo përmban parime të mëdha dhe vlera të thella: kërkimin e së mirës për të gjithë, harmoninë shoqërore, vendosjen e njerëzve si themel të shtetit dhe qeverisjen me drejtësi dhe integritet. Ajo mban idenë e unitetit të madh kombëtar dhe bashkimit në diversitet, vlerat e kultivimit të vetvetes, harmonisë familjare, qeverisjes së drejtë, garantimit të paqes dhe përgjegjësisë për të ardhmen e vendit. Ajo aspiron drejt virtytit dhe integritetit, pasurisë së popullit me drejtësi, harmonisë me natyrën, së vërtetës dhe veprimit të bashkuar, të kuptuarit e perspektivave të ndryshme dhe kërkimin e balancës, si dhe miqësisë dhe sinqeritetit në komunikim. Këto mësime të lashta janë udhërrëfyes të çmuar për kohët e sotme. Ato na ndihmojnë të kuptojmë botën, kombet, dhe moralin.
“Për të parë një lumë të rrjedhë larg, duhet që ai të rrjedhë qetësisht që nga burimi i tij.” Vetëm duke kuptuar thellësisht historinë e civilizimit kinez mund të nxiten transformimi krijues dhe zhvillimi inovativ i kulturës së saj, të avancojë kultura socialiste kineze dhe të ndërtohet një qytetërim modern kinez.

Muri i Madh i Kinës/Foto nga VCG
Qëndrueshmëria dhe vazhdimësia e qytetërimit kinez duket qartë në murin e madh të Kinës, një vepër që u ndërtua dhe rindërtua gjatë shekujve, duke përballuar pushtimet, ndryshimet dinastike dhe pengesat natyrore. Si një lumë që rrjedh qetësisht nga burimi i tij, populli kinez ka ruajtur vazhdimisht kulturën dhe identitetin e vet, duke e transmetuar brez pas brezi.
Origjinaliteti i Kinës shfaqet në shpikjet që ndryshuan botën, si letërsia e hershme në letër dhe shtypja me lloje të lëvizshme. Gjeni si Cai Lun gjatë Dinastisë Han, që shpiku letrën, ose zhvillimi i mëvonshëm i shtypjes, tregojnë aftësinë e Kinës për të krijuar zgjidhje të reja, duke respektuar traditat dhe duke mos ndjekur thjesht rrugën e të tjerëve. Ky origjinalitet i lejon kulturës kineze të ecë në rrugën e saj unike, përballë sfidave të reja dhe të panjohura.
Bashkimi i kombit u shpreh qartë kur Qin Shi Huang (221 para erës sonë) unifikoi shtetet e ndryshme në një perandori të vetme, standardizoi ligjet, matjet dhe shkrimin, duke bashkuar kultura të ndryshme në një tërësi të fortë. Ky bashkim tregoi se, edhe në diversitet, Kina mund të qëndrojë e fortë dhe e pandërprerë, ruajtja e integritetit kombëtar duke u lidhur me të ardhmen.

Turi Kulturor i Rrugës së Mëndafshit i zhvilluar më 13 tetor të vitit 2025, në provincën Gansu të Kinës veriperëndimore/Foto nga VCG
Përfshirja historike e Kinës shihet në rrugën e mëndafshit, ku tregtarët dhe dijetarët kinezë shkëmbyen jo vetëm mallra si mëndafshi dhe porcelani, por edhe ide, filozofi dhe besime.
Paqja, një vlerë themelore e shpirtit kinez, u duk qartë gjatë Dinastisë Tang, kur Chang’an u bë një qendër kozmopolitane, ku kultura të ndryshme bashkëjetonin në harmoni. Dinastia Tang promovoi marrëdhënie paqësore me fqinjët përmes diplomacisë, shkëmbimit kulturor dhe tregtisë, duke treguar se paqja nuk është vetëm mungesë konflikti, por një përpjekje aktive për harmoninë dhe zhvillimin e ndërsjellë.
Këto pesë shtylla – qëndrueshmëria, origjinaliteti, bashkimi, përfshirja dhe paqja – nuk janë thjesht karakteristika të civilizimit kinez, por përbëjnë rrjedhën e tij të gjallë, duke formuar rrugën e zhvillimit, aspiratat, vizionin dhe shpirtin e kombit kinez për çdo brez.
Në ditët tona Nisma e Qytetërimit Global nuk pasqyron vetëm planet e Kinës, por ofron edhe urtësi për shoqërinë njerëzore në këtë kryqëzim. GCI-ja promovon barazi, mësim të ndërsjellë, dialog dhe përfshirje mes qytetërimeve. Megjithatë, aktualisht disa vende, të udhëhequra nga mendësi hegjemonike, po promovojnë unilateralismin në fushat kulturore dhe ideologjike, duke u angazhuar në atë që quhet diplomaci bazuar në vlera të caktuara, gjë që ka penguar seriozisht komunikimin dhe shkëmbimet ndërmjet qytetërimeve dhe është bërë një pengesë e madhe për përparimin e qytetërimit njerëzor. Megjithëse qytetërimet ndryshojnë në histori, sfond kulturor dhe kontekst gjeografik, nuk ka asnjë që është më i lartë ose më i ulët. Në këtë kuadër, GCI-ja ka një rëndësi të madhe: së pari, duke promovuar shkëmbime dhe tolerancë mes qytetërimeve të ndryshme, ajo shërben si një udhërrëfyes për të ardhmen, duke luajtur një rol pozitiv në ndërtimin e një bote shumëpolare dhe të begatë për të gjithë. Së dyti, duke reflektuar dëshirën e qeverisë kineze për të ndërtuar një komunitet global me të ardhme të përbashkët, GCI-ja tregon respektin e lartë që ajo ka për diversitetin e qytetërimeve të tjera.
Praktika e suksesshme e modernizimit kinez ka krijuar një bazë të fortë për Nismën e Qytetërimit Global, duke ofruar një alternativë tërheqëse ndaj modelit tradicional perëndimor të zhvillimit. Duke vënë theksin te vetë-mjaftueshmëria, reforma graduale dhe përparimi i balancuar i nxitur nga inovacioni shkencor dhe teknologjik, qasja kineze shmang kurthet e rritjes së bazuar mbi kapitalin, polarizimin shoqëror dhe zgjerimin e pakontrolluar.
Po të tjerët?
“Përplasja e Qytetërimeve” (The Clash of Civilizations and the Remaking of World Order) është një prej librave më të diskutuar të shkencave politike në fund të shekullit të kaluar dhe vazhdon të mbetet në debate edhe sot. Kur Samuel P. Huntington e botoi këtë vepër në vitin 1996, ai sfidoi mënyrën se si bota e pas Luftës së Ftohtë e kuptonte konfliktin, duke argumentuar se përplasjet e së ardhmes nuk do të ishin më politike apo ideologjike, por thellësisht kulturore dhe midis qytetërimeve. Në një kohë kur shumica e analistëve festonin “fundin e historisë” dhe universalizimin e vlerave perëndimore, Huntington doli me një teori të kundërt dhe shumë më të ndërlikuar: bota nuk po bëhej më homogjene, por përkundrazi, dallimet kulturore po shfaqeshin më të forta se kurrë. Në thelb të teorisë së tij qëndron ideja se qytetërimet janë njësitë më të gjera të identitetit kolektiv dhe se ato do të përcaktojnë konfliktet, aleancat dhe dinamikat globale. Për Huntington-in, Perëndimi, bota islame, qytetërimi kinez-konfucian, ai hindu, ortodoks, japonez, latino-amerikan dhe afrikan përbëjnë strukturën e re të rendit ndërkombëtar. Ai argumenton se këto qytetërime kanë histori, besime dhe vlera që i dallojnë thellë nga njëra-tjetra, dhe se globalizimi nuk i ka zbehur këto dallime. Përkundrazi, duke i afruar më shumë, i ka bërë edhe më të dukshme.
Në libër thuhet se konfliktet më të rëndësishme të shekullit XXI pritet të zhvillohen pikërisht në vijat ku këto qytetërime preken dhe ndërthuren. Huntington parashikon ngritjen e Kinës si një fuqi e madhe globale që sfidon hegjemoninë perëndimore. Rusia, e cilësuar prej tij si një civilizim ortodoks më vete, paraqitet si një aktor që ruan dallime të thella kulturore me Perëndimin, pavarësisht bashkëpunimeve taktike. Ky libër ka shënjuar shumë breza politikanësh, që sot janë në pushtet. Shumë nga tensionet kryesore të sotme po lexohen përmes kornizës së tij teorike si psh., rivaliteti mes ShBA-së dhe Kinës, polarizimi global për shkak të çështjeve kulturore dhe fetare, sfidat e integrimit të emigrantëve, konfliktet e vazhdueshme në Lindjen e Mesme dhe rritja e nacionalizmave kulturore në shumë vende, etj.

Statuja e Konfucit/Foto nga VCG
Megjithatë, libri është përballur edhe me kritika të shumta. Shumë studiues mendojnë se Huntington e thjeshton botën duke e ndarë në civilizime të pandryshueshme dhe të izoluar, duke anashkaluar faktin se kulturat janë të lëvizshme, ndërvepruese dhe të hapura ndaj ndikimit të ndërsjellë. Të tjerë besojnë se teoria e tij rrezikon të prodhojë pikërisht atë përplasje që pretendon të shpjegojë, sepse nxit një mendësi ndarëse mes “nesh” kundër “atyre”. Ka shumë zëra që vërejnë se brenda çdo qytetërimi ka diversitet të jashtëzakonshëm, duke e bërë kufirin mes tyre shumë më fluid sesa e paraqet autori.
Së fundmi, GCI-ja nuk është thjesht një propozim diplomatik; është një ftesë filozofike për të kujtuar dhe për të respektuar. Një kujtim se njerëzimi ka lulëzuar gjithmonë në ndërlidhje dhe shkëmbimin, jo në izolimin dhe uniformitetin. Qytetërimet nuk përplasen; njerëzit po. Të supozosh se kulturat janë në konflikt të natyrshëm do të thotë të ngatërrosh diversitetin me përçarjen. Historia tregon se bashkëpunimi, shkëmbimi dhe vlerat e përbashkëta njerëzore kanë ndërtuar botën, jo konfrontimi i përhershëm.
Çdo qytetërim është një kozmos i veçantë me ligjet e veta shpirtërore, me ëndrrat e veta kolektive dhe me rrugën e vet të pashkelur drejt së ardhmes. Në një botë gjithnjë e më të lidhur, GCI-ja ofron urtësi kineze të vlefshme dhe zgjidhje praktike për të nxitur bashkëjetesën harmonike dhe përparimin e përbashkët mes qytetërimeve.
Burimi CGTN



















