
Gonzato: BE përkrah Shqipërisë në mbrojtjen e fjalës së lirë dhe fuqizimin e grave në media
Në konferencën “Gratë në qendër: Forcimi i medias me qasje përfshirëse në Shqipëri”, organizuar nga SCiDEV dhe AWA me mbështetjen e Bashkimit Europian, u prezantuan gjetjet e projektit “Thyejmë kallëpet, formësojmë të ardhmen”, që synon transformimin e praktikave mediatike në drejtim të raportimit me perspektivë gjinore, rritjes së rolit të grave në media dhe forcimit të sigurisë së gazetarëve.

Në konferencën “Gratë në qendër: Forcimi i medias me qasje përfshirëse në Shqipëri”, organizuar nga SCiDEV dhe AWA me mbështetjen e Bashkimit Europian, u prezantuan gjetjet e projektit “Thyejmë kallëpet, formësojmë të ardhmen”, që synon transformimin e praktikave mediatike në drejtim të raportimit me perspektivë gjinore, rritjes së rolit të grave në media dhe forcimit të sigurisë së gazetarëve.
Kryetarja e Komisioni për Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, në fjalën e saj theksoi se barazia gjinore nuk duhet parë si një element dekorativ, por si thelbin e një sistemi të drejtë dhe funksional.
Ajo ndau qëndrimin e saj mbi rolin e medias në fuqizimin e grave, sfidat me të cilat ato përballen dhe domosdoshmërinë për të ndërtuar një shoqëri ku çdo grua ka zë dhe hapësirë për t’u dëgjuar.
Tabaku u ndal edhe te nevoja për të forcuar mbrojtjen e gazetarëve, duke bërë të ditur se ka propozuar ndryshime në Kodin Penal që synojnë të luftojnë paditë SLAPP, të cilat përdoren për të frenuar raportimin e lirë dhe kritik.
Sipas saj, demokracia nuk mund të ekzistojë pa media të pavarur dhe të mbrojtur.
“Kam propozuar ndryshime të reja në Kodin Penal për të mbrojtur gazetarët dhe për të luftuar paditë SLAPP, sepse demokracia nuk ekziston pa media të lirë”, theksoi ajo.
Duke vënë në pah rolin e grave në media, sipërmarrje, bujqësi, arsim dhe emigracion, Tabaku deklaroi se ato përbëjnë një forcë të rëndësishme për zhvillimin e vendit.
Ajo theksoi se shoqëria u detyrohet grave një sistem më të drejtë, më transparent dhe mundësi të barabarta për të ndërtuar të ardhmen e tyre.
Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi, solli një përmbledhje të të dhënave të tre viteve të fundit të balancës gjinore në tregun audioviziv, një treg dinamik dhe përgjithësisht i balancuar, ndryshe nga fushatat zgjedhore, ku dominimi i burrave, si në zgjedhjet e 11 majit, ka qenë i dukshëm.
Në një sesion të veçantë me gazetarë dhe ekspertë të fushës, ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, theksoi se mediet shqiptare duhet të pasqyrojnë më mirë diversitetin shoqëror dhe të rrisin përfaqësimin e grave në hapësirën publike.
Ai u shpreh se niveli aktual i përfaqësimit nuk është i mjaftueshëm dhe se pak është bërë për të adresuar sfida si diskriminimi, mungesa e zërit të barabartë dhe dhuna online ndaj grave dhe vajzave.
Gonzato nënvizoi se rritja e rolit të grave në media kërkon angazhim të strukturave mediatike për të krijuar më shumë mundësi dhe hapësira për gazetaret dhe profesionistet, ndërsa theksoi rëndësinë e transparencës dhe dialogut të hapur mes redaksive, gazetarëve dhe institucioneve për ruajtjen e pavarësisë së medias dhe rritjen e standardeve profesionale.
Ai ritheksoi mbështetjen e BE-së për Shqipërinë në mbrojtjen e fjalës së lirë dhe fuqizimin e grave në media, duke e konsideruar këtë një gur themeli për një shoqëri demokratike dhe të barabartë.
“Evropa qëndron përkrah Shqipërisë për të patur një fjalë të lirë, për të mbështetur gratë në media dhe të rritet dhe forcohet përfaqësia e tyre në media. Një dimension i rëndësishëm është edhe transparenca dhe një dialog i hapur për editorët, gazetarët dhe pavarësinë e medias”, tha Gonzato.
Prezantimi i gazetares së France 24, Annette Young, solli përvojën e saj të gjatë në median ndërkombëtare, duke dhënë një perspektivë të gjerë mbi zhvillimin e rolit të grave në këtë sektor.
Marrë nga ATSH



















