
Presidenti Begaj pranon Letrat Kredenciale të ambasadorëve të Panamasë dhe Indonezisë
Gjatë takimeve, Presidenti Begaj vlerësoinmarrëdhëniet miqësore ndërmjet vendeve dhe diskutoi për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët

Presidenti Bajram Begaj pranoi sot Letrat Kredenciale të ambasadorit të ri të Republikës së Panamasë, jo rezident në Tiranë, Winston Spadafore F.
Gjatë takimit, Presidenti Begaj dhe ambasadori Spadafore vlerësuan marrëdhëniet miqësore ndërmjet dy vendeve dhe diskutuan për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët. Kreu i Shtetit shprehu mirënjohjen për njohjen e Republikës së Kosovës nga Panamaja dhe për mbështetjen e saj në proceset e integrimit ndërkombëtar.
Po sot, Presidenti Begaj pranoi edhe Letrat Kredenciale të ambasadores së re të Indonezisë, jo rezidente në Shqipëri, Listiana Operananta.

Në bisedë u theksua rëndësia e zhvillimit të marrëdhënieve miqësore mes dy vendeve, si në kuadër dypalësh, ashtu edhe shumëpalësh.
Presidenti Begaj vlerësoi hapjen e Ambasadës së Shqipërisë në Xhakartë dhe u shpreh se vendi ynë mirëpret hapjen e ambasadës indoneziane në Tiranë, si një hap i mëtejshëm drejt forcimit të lidhjeve dypalëshe.
Gjithashtu, Presidenti Begaj kërkoi rishikimin e qëndrimit të Indonezisë sa i përket njohjes së Republikës së Kosovës dhe mbështetjes së saj në organizatat ndërkombëtare.
Burimi ATSH



















