
Salla: Infrastruktura e kullimit drejt normalitetit, uji po tërhiqet nga sipërfaqet e përmbytura
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla u shpreh sot se shirat gjatë natës kanë qenë me intensitet më të ulët, çka ka krijuar kushte më të favorshme për ndërhyrjet në terren.

Moti i keq dhe reshjet e dendura të shiut të ditëve të fundit, kanë krijuar problematika në zona të ndryshme të vendit.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla u shpreh sot se shirat gjatë natës kanë qenë me intensitet më të ulët, çka ka krijuar kushte më të favorshme për ndërhyrjet në terren.
Në një reagim në rrjetet sociale, Salla tha se si rezultat, situata në infrastrukturën e kullimit po normalizohet, me ulje graduale të niveleve të ujit.
“Në ultësirën perëndimore, infrastruktura e kullimit po kthehet gradualisht në normalitet dhe uji po tërhiqet nga sipërfaqet e përmbytura. Paralelisht, nivelet në lumenj kanë pësuar rënie dhe rrjedhat po stabilizohen brenda shtratit natyral dhe argjinaturave ekzistuese”, tha Salla.
Ministri Salla nënvizoi se ekipet e drejtorive të ujitje-kullimit në Fier, Korçë, Durrës dhe Lezhë vijojnë pa ndërprerje në terren për stabilizimin e situatës, kryesisht në zonat më problematike.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në bashkëpunim me AKMC dhe Drejtoritë e Ujitje-Kullimit, vazhdon të monitorojë situatën dhe do të ndërhyjë sipas nevojës për parandalimin e përmbytjeve dhe garantimin e sigurisë së banorëve dhe tokave bujqësore.
Burimi ATSH



















