
Demo: Pushteti vendor 1,2 miliardë euro nga pr/buxheti 2026, digjitalizim i 150 shërbimeve
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo deklaroi sot në Kuvend se fondi për pushtetin vendor në projektbuxhetin 2026 arrin në 1,2 miliardë euro, ose 3,52% të PBB-së, duke mbështetur veçanërisht investimet.

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo deklaroi sot në Kuvend se fondi për pushtetin vendor në projektbuxhetin 2026 arrin në 1,2 miliardë euro, ose 3,52% të PBB-së, duke mbështetur veçanërisht investimet.
Gjatë diskutimit në Kuvend të projektbuxhetit 2026, Demo u shpreh se ky buxhet krijon stabilitet financiar të qëndrueshëm, disiplinë fiskale dhe vizion afatgjatë.
“Ekonomia shqiptare hyn në vitin 2026 me ritme të qëndrueshme, me inflacion të kontrolluar dhe borxh publik në ulje. Këta tregues janë garanci për çdo politikë publike që mbështetet mbi themele të qëndrueshme. Në këtë buxhet nuk ka rritje taksash. Buxheti është më shumë se 9 miliardë euro, ndër buxhetet më të fuqishëm të vendit”, u shpreh Demo.
Duke folur për pushtetin vendor, ministri Demo vlerësoi se “ky buxhet e vendos pushtetin vendor në qendër të zhvillimit ekonomik, social dhe institucional”.
Një zë i rëndësishëm në buxhetin që do t’i alokohet pushtetit vendor, sipas ministrit Demo ka të bëjë me transformimin digjital të këtij pushteti.
“Digjitalizimi i shërbimeve vendore, që do të marrë formë në vitin 2026, do të prekë më shumë se 150 shërbime lokale. Ky do të jetë një nga projektet më të mëdha të digjitalizimit vendor në Ballkan dhe e vendos Shqipërinë pranë standardeve më të avancuara të BE-së”, u shpreh Demo.
Demo theksoi rëndësinë e buxhetit të pushtetit vendor, pasi në nivel lokal sipas tij, “qytetarët prekin shërbimet dhe matin rezultatet e reformave”.
“Qeverisja vendore në vitin 2026 trajtohet si aktor real zhvillimi dhe jo si një strukturë periferike, prandaj investimet dhe reformat e orientuara drejt bashkive kanë peshën më të madhe historike”, tha Ministri.
Sipas tij, “buxheti siguron më shumë autonomi dhe përgjegjësi reale për bashkitë. Të ardhurat vendore gjatë dy viteve të fundit kanë qenë histori suksesi. Bashkitë kanë arritur të grumbullojnë gjatë këtyre dy viteve 32 miliardë lekë më shumë. Për vitin 2026 parashikohet një rritje shtesë prej 3,2 miliardë lekësh. Taksa e pasurisë parashikohet të rritet me 2 miliardë lekë, duke kaluar një total prej 10 miliardë lekësh”.
Ndërsa investimet vendore, sipas tij, për herë të parë do të kapin shifrën e 1% të PBB-së.
Burimi ATSH


















