
Rama pritet nga Schoof, Shqipëri-Holandë drejt partneritetit strategjik
Kryeministri Edi Rama dhe delegacioni që e shoqëron zhvilloi sot një vizitë në Hagë të Holandës, ku u prit nga kryeministri i Mbretërisë së Holandës, Dick Schoof.

Kryeministri Edi Rama dhe delegacioni që e shoqëron zhvilloi sot një vizitë në Hagë të Holandës, ku u prit nga kryeministri i Mbretërisë së Holandës, Dick Schoof.
Rama ndau një fotoalbum nga pritja e homologut holandez teksa u shpreh se në takim u bisedua për marrëveshjen e partneritetit strategjik mes dy shteteve, diçka e pamendueshme vetëm deri pak vite më parë.
“Kënaqësi e posaçme ftesa dhe mikpritja e shefit të qeverisë së Holandës, Dick Schoof, në rezidencën e tij kryeministrore në Hagë, ku folëm për marrëveshjen e partneritetit strategjik mes dy shteteve tona, diçka e pamendueshme vetëm deri pak vite më parë”, shkroi Rama në një postim në rrjetet sociale.
Më pas, Kryeministri Rama do të vizitojë Institutin holandez të Marrëdhënieve Ndërkombëtare “Clingendael”, ku do të adresohet me një fjalë, si dhe do t’u përgjigjet pyetjeve në një sesion të veçantë.
Instituti Holandez i Marrëdhënieve Ndërkombëtare “Clingendael” u themelua në vitin 1983, si rezultat i bashkimit të pesë instituteve më të vogla, aktive në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Clingendael fokusohet në menaxhimin e konfliktit, kontrollin e krizave dhe teknikat e negociatave, zhvillimet brenda Bashkimit Evropian dhe Eurozonës, sundimin e ligjit, qëndrueshmërinë dhe diplomacinë ekonomike, si dhe në rajone dhe vende specifike, si Azia, Lindja e Mesme, Sudani dhe Kina.
Burimi ATSH


















