
Panairi Ndërkombëtar i Tiranës mbyllet me rezultate pozitive dhe zgjerim të bashkëpunimit rajonal
Me moton “Dritare drejt së ardhmes”, ky edicion shënoi një pjesëmarrje rekord: 250 kompani, prej të cilave 170 ishin ndërkombëtare, që përfaqësuan mbi 20 shtete nga Europa, rajoni dhe SHBA.

Pas katër ditësh të mbushura me aktivitete të shumta, takime ndërkombëtare dhe prezantime sektorësh strategjikë, edicioni 2025 i Panairit Ndërkombëtar të Tiranës u mbyll me rezultate pozitive dhe një theks të qartë mbi rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik rajonal.
Me moton “Dritare drejt së ardhmes”, ky edicion shënoi një pjesëmarrje rekord: 250 kompani, prej të cilave 170 ishin ndërkombëtare, që përfaqësuan mbi 20 shtete nga Europa, rajoni dhe SHBA.
Prania e gjerë e bizneseve të huaja dhe përfaqësuesve institucionalë e pozicionoi panairin si një platformë të rëndësishme dialogu dhe partneriteti për Shqipërinë.
Luel Muhametaj, menaxher i përgjithshëm i Klik Ekspo Group, vlerësoi veçanërisht interesin e lartë dhe natyrën ndërkombëtare të këtij edicioni.
“Nga 250 kompanitë pjesëmarrëse, 170 ishin të huaja nga rreth 20 vende të ndryshme. Sektorët kryesorë këtë vit ishin infrastruktura, energjia, turizmi, kultura, bujqësia dhe teknologjia, përfshirë disa start-up-e të reja. Çdo ditë zhvilluam konferenca kushtuar zhvillimit dhe të ardhmes së Shqipërisë – me diskutime për strategjitë dhe projektet që do ta integrojnë vendin më thellë në Evropë deri në vitin 2030”, tha Muhametaj.
Tirana mirëpret CEFA – një zhvillim domethënës për rajonin
Një ndër momentet kyçe të këtij edicioni ishte mbledhja e Komitetit Drejtues të CEFA-s (Central European Fair Alliance), që për herë të parë u zhvillua në Tiranë. Ky forum përfaqëson panairet më të mëdha të Evropës Qendrore dhe Ballkanit, dhe mbajtja e tij në Shqipëri shënoi një moment të rëndësishëm për afirmimin e Tiranës si një aktor rajonal në industrinë e eventeve dhe ekspozitave.
“Për herë të parë, Tirana priti drejtuesit e CEFA-s, ku diskutuam strategjitë dhe projektet e përbashkëta për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe evropian në fushën e organizimit të panaireve dhe nxitjes së tregjeve ndërkombëtare”, shtoi Muhametaj.
Pjesëmarrje e nivelit të lartë dhe prani e kompanive të reja ndërkombëtare
Një tjetër veçori e këtij viti ishte prezenca për herë të parë e disa kompanive prestigjioze ndërkombëtare, që shënojnë një rritje të interesit për tregun shqiptar dhe rajonin në tërësi.
“Një prej tyre ishte “Bonomi Group”, kompani multinacionale italiane që operon në sektorin e hekurudhave, porteve dhe elektrifikimit që nga viti 1928. Po ashtu, për herë të parë mori pjesë “Bostock London”, një kompani britanike e themeluar nga George Busby dhe Lord Christopher Gage, e specializuar në siguri kibernetike dhe bashkëpunim teknologjik në rajon”, tha Muhametaj.
Një platformë në rritje për zhvillim dhe integrim europian
Rritja e vëmendjes ndërkombëtare, niveli i lartë i përfaqësimit dhe tematika e fokusuar në integrimin europian dhe inovacionin, e pozicionojnë Panairin e Tiranës si një nga ngjarjet më të rëndësishme të kalendarit ekonomik rajonal.
Në përfundim të edicionit të këtij viti, Muhametaj theksoi misionin afatgjatë të Klik Ekspo Group për të forcuar imazhin ekonomik të vendit dhe për të zgjeruar bashkëpunimet me rrjetet e panaireve europiane.
“Ne po ndërtojmë një traditë që forcon imazhin ekonomik të Shqipërisë dhe e kthen Tiranën në një dritare reale drejt së ardhmes”, përfundoi ai.
Burimi ATSH



















