
Sejko: Rritje e eksporteve dhe investimeve të huaja direkte, rezerva valutore 7 miliardë euro
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko deklaroi në Kuvend se ecuria pozitive e ekonomisë dhe e tregjeve financiare shqiptare gjatë vitit 2024 dhe gjysmës së parë të vitit 2025 u pasqyrua edhe në sektorin bankar.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko deklaroi në Kuvend se ecuria pozitive e ekonomisë dhe e tregjeve financiare shqiptare gjatë vitit 2024 dhe gjysmës së parë të vitit 2025 u pasqyrua edhe në sektorin bankar.
Gjatë raportimit vjetor në Kuvend, Sejko u shpreh se sektori bankar njohu rritje, nxitur nga rritja e shpejtë e kreditimit dhe zgjerimi i bazës së depozitave, si dhe përmirësim të treguesve të shëndetit financiar.
Sejko theksoi se cilësia e kredisë vijoi të përmirësohet dhe treguesi i kredive me probleme zbriti në 4.0%, duke shënuar nivelet më të ulëta që prej vitit 2008. “Analizat tona periodike sugjerojnë nivele të kontrolluara të rreziqeve sistemike dhe testet e rezistencës së sistemit bankar tregojnë një aftësi të mirë përballimi të goditjeve të mundshme makrofinanciare”, shtoi Sejko.
Sejko theksoi se “pozicioni i jashtëm i ekonomisë është konsoliduar, falë rritjes së mëtejshme të eksporteve, remitancave dhe investimeve të huaja direkte”.
“Gjatë vitit 2024, eksportet totale shënuan vlerën e 9.1 miliardë eurove, duke u rritur me 11% krahasuar me vitin paraardhës, të nxitura nga të ardhurat nga turizmi në vlerën e 5 miliardë eurove. Po ashtu, remitancat arritën 1 miliardë euro, ndërsa flukset hyrëse nga investimet e huaja direkte në 1.6 miliardë euro”, tha Sejko.
Edhe gjatë gjysmës së parë të vitit 2025, sipas tij të tre këta tregues vijuan të rriten. “Eksportet totale u rritën me 6.1%, remitancat me 4.3%, ndërsa investimet e huaja direkte me 1.1%”, shtoi ai.
Sejko nënvizoi se në tërësi, bilanci i shkëmbimeve tregtare e financiare me jashtë ka shënuar vlera të larta pozitive gjatë tre viteve të fundit.
“Në pasqyrim të këtyre dinamikave, borxhi i jashtëm ra në 40.5% të PBB-së në tremujorin e dytë të vitit 2025, nga 46.2% në fund të vitit 2023. Po ashtu, rezervat valutore të Bankës së Shqipërisë, një tregues kyç i qëndrueshmërisë financiare të vendit, i janë afruar nivelit 7 miliardë euro, duke ofruar një garanci të rritur për investitorët e huaj”, u shpreh Sejko.
Sejko nënvizoi se pozicioni fiskal është përmirësuar më tej, sikurse tregohet nga reduktimi i deficitit buxhetor dhe i borxhit publik, respektivisht në nivelet 0.7% dhe 53.8% të PBB-së për fundin e vitit 2024.
Po ashtu, Sejko theksoi se sistemi bankar ka përmirësuar treguesit e qëndrueshmërisë dhe ka konsoliduar rolin e tij ndërmjetësues.
“Këto zhvillime kanë rritur aftësinë e sistemit bankar për të furnizuar ekonominë me fonde të qëndrueshme dhe me kosto të ulëta, si dhe kanë ndihmuar në zgjerimin e përdorimit të instrumenteve moderne të pagesave”, shtoi ai.
Ndërkohë Sejko theksoi se rritja e kërkesës për punë nga bizneset dhe mungesa e fuqisë punëtore, kanë sjellë rritjen e pagave në sektorin privat, me një mesatare vjetore prej 8.6% për vitin 2024 dhe 9.5% për gjashtëmujorin e parë 2025.
“Paralelisht me këto zhvillime, inflacioni ka ardhur në rënie, duke zbritur nga niveli mesatar prej 4.8% në vitin 2023, në 2.2% për vitin 2024 dhe tre tremujorët e parë të vitit 2025. Reduktimi i inflacionit është nxitur nga rënia e çmimeve në tregjet ndërkombëtare, forcimi i kursit të këmbimit dhe zbatimi i një politike monetare proaktive e të balancuar. Për rrjedhojë, inflacioni i importuar ka shënuar një rënie të shpejtë, ndërsa presionet nga ekonomia vendase janë në linjë me objektivin tonë të stabilitetit të çmimeve”, shtoi ai.
/Marrë nga ATSH



















