
Rama: Shqipëra brenda dekadës anëtare e BE-së
Kryeministri Edi Rama ndodhet në Londër për të marrë pjesë në punimet e samitit vjetor të Procesit të Berlinit, edicioni i të cilit për këtë vit mbahet në Mbretërinë e Bashkuar.

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Londër për të marrë pjesë në punimet e samitit vjetor të Procesit të Berlinit, edicioni i të cilit për këtë vit mbahet në Mbretërinë e Bashkuar.
Rama ishte i ftuar në “Future Resilience Forum 2025”, forumi ndërkombëtar i sigurisë dhe politikave globale. Gjatë takimit Rama u pyet në lidhje me vizionin për Shqipërinë.
Kreu i qeverisë u shpreh optimist për rrugëtimin e vendit drejt Bashkimit Evropian dhe theksoi se Shqipëria po bën përpjekje të mëdha për të realizuar aspiratat e saj evropiane. Rama tha se nëse gjërat ecin kështu, brenda kësaj dekade Shqipëria do të jetë anëtare e BE-së.
“Sa herë që kam shansin të takoj Zelenskyn dhe më pyet si je, unë i them: kur të shoh ty jam njeriu më i lumtur i botës dhe vendi im është parajsa, se nuk ka sirena gjatë natës dhe bombardime. Gjithçka është relative. Jemi bërë në mënyrë të tillë që kemi prirjen ta harrojmë të keqen dhe nuk mjaftohemi kurrë me të mirën. Në fund të fundit Shqipëria është një pozitë të mirë, tani jemi në një moment përshpejtimi shumë të madh në rrugëtimin tonë në BE.
“Është një moment që në këtë drejtim ka një ndryshim shumë të madh, pra rëndësia gjeopolitike e Ballkanit Perëndimor nuk është vetëm me fjalë, por edhe me vepra, prandaj tashmë e kuptojnë se është e udhës të bëjë gjithçka për të bashkuar Ballkanin Perëndimor me Bashkimin Evropian. Tani e kuptojnë se Bashkimi Evropian është i vetmi realitet në historinë e hartave që ka dy kufij, një të jashtëm dhe një të brendshëm, dhe brenda këtij kufiri të brendshëm jemi ne. Nëse gjërat ecin kështu, shumë shpejt dhe më shpejt, nënkuptoj brenda kësaj dekade, do të jemi anëtarë të BE-së. Jam shumë optimist”, tha Rama.
Rama tha ndër të tjera se “vizioni i Shqipërisë përcaktohet shumë nga historia jonë, nuk kemi pasur kurrë mundësinë që të kishim një moment ku të jetonim sipas zgjedhjes sonë”.
“Kemi pasur forca të tjera që na janë imponuar, 500 vjet Perandori Osmane dhe më pas shpallëm Pavarësinë, dhe pastaj patëm kaos, dhe më pas patëm një monarki të vetëshpallur – mbreti ynë ishte një njeri që nuk kishte gjak mbretëror. Më pas erdhi pushtimi nga Italia, e pastaj Bashkimi Sovjetik, dhe tani ka ardhur momenti ku ne jetojmë sipas zgjedhjes sonë. Duam të jemi pjesë e BE-së. Për ne BE është aq shumë dhe po aq saç qe për etërit themelues, një hapësirë paqeje dhe sigurie. Për ne në Shqipëri, BE është një fe: 92% e njerëzve duan që Shqipëria të jetë pjesë e BE-së. Kur vjen fjala për Bashkimin Evropian të gjithë duan të jenë pjesë e Bashkimit Evropian. Jo se jemi naivë, por sepse ende e kemi të freskët në kujtesë sesi dukeshin gjërat jashtë BE-së”, tha Rama.
Kreu i qeverisë nënvizoi se “BE është bekim për vende si i yni, apo për vendet e Ballkanit Perëndimor, që janë vende të cilat nuk kanë një traditë shumë të fortë e afatgjatë institucionesh”.
“Kësisoj, BE është burimi më i madh e i jashtëzakonshëm i dijes, kur vjen fjala se si të ndërtohen institucionet, një gjyqësor i pavarur, si të ruhen ekuilibrat midis pushteteve e kështu me radhë. Kjo e bën të ardhmen tonë shumë më të sigurt se ajo e vendeve të tjera që nuk e kanë pasur mundësinë”, u shpreh Rama.
Rama shtoi se “për ne ky është bekim i madh dhe po punojmë shumë fort, për t’u linjëzuar, jo se duam të kënaqim Brukselin, por sa më shumë të jemi ne në përputhje me atë se çfarë do të thotë të jesh shtet i BE-së, aq më mirë është për ne, për qytetarët tanë”.
/Burimi ATSH