
Komisionerja për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil: 145 informacione të shqyrtuara gjatë 2024-ës
Komisionerja për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, Pranvera Strakosha tha sot se gjatë 2024 janë shqyrtuar 145 informacione, kërkesa apo sinjalizime që kanë ardhur në drejtim të institucionit.

Komisionerja për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, Pranvera Strakosha tha sot se gjatë 2024 janë shqyrtuar 145 informacione, kërkesa apo sinjalizime që kanë ardhur në drejtim të institucionit.
Në seancën dëgjimore për raportimin e veprimtarisë të Komisionerit të Mbikëqyrjes së Shërbimit Civil, për vitin 2024 Strakosha theksoi se “rezulton se numri i informacioneve të ardhura është rritur, gjë që tregon besimin e punonjësve dhe institucioneve të tjera ndaj komisionerit duke kërkuar interpretime të ndryshme apo mendime dhe vendimmarrje në lidhje me problematika të hasura”.
Sipas saj, vendin kryesor e zënë informacione individuale, që kanë lidhje me marrëdhënien personale të nëpunësve të ndryshëm civilë që kanë shërbyer si indicie për Komisionerin për të verifikuar sipas rastit apo për të nisur procesin e inspektimit.
Strakosha u shpreh se “këto raste përfaqësojnë 95% të çështjeve të trajtuara dhe kanë të bëjnë me shqetësime të qytetarëve apo nëpunësve ekzistues që pretendojnë se u janë bërë padrejtësi apo që janë lejuar shkeljet e ligjit”.
“Komisioneri ndonëse nuk e ka për kompetencë direkte zgjidhjen e kërkesave të ankesave të nëpunësve civilë ka kryer verifikimin dhe vlerësimin e të gjithë informacioneve, kërkesave apo denoncimeve të ndryshme të ardhura në adresë të tij duke u dhënë përgjigje konkrete shqetësimeve të ngritura nga subjektet e ligjit dhe nga qytetarët apo nëpërmjet vendimeve paralajmëruese që institucionet të kryejnë veprime të caktuara për të vendosur gjendjen e ligjshmërisë”, nënvizoi Strakosha.
Komisionerja tha se “gjatë këtij viti kemi përfshirë në procesin e mbikëqyrjes së përgjithshme dhe tematike 34 subjekte me tipologji të ndryshme të institucioneve në shërbimin civil për t’u planifikuar, për t’u kontrolluar gjatë vitit, 5 institucione të pavarura kushtetuese, 2 institucione varësie të administratës shtetërore dhe 27 njësi të qeverisjes vendore”.
Strakosha informoi se gjatë këtij procesi janë mbikëqyrur 1506 pozicione të shërbimit civil, pra direkt në subjekt, ku 190 pozicione apo 12.6% i përkasin institucioneve të pavarura, 87.4% pozicione të verifikuara i përkasin institucioneve të qeverisjes vendore.
“Nisur nga mënyra e plotësimit të pozicioneve të punës, pjesa e shërbimit civil ka rezultuar se nga 1506 pozicion te shërbimi civil, 901 ose 60% janë të zëna në përputhje me ligjin 151 ose 10% janë vende të lira dhe 454 ose 30% janë të zëna nga punonjës të emëruar me akte në kundërshtim me ligjin. Fenomeni i emërimeve në kundërshtim me ligjin shfaqen pothuajse në të gjitha rastet në institucionet e administratës vendore”, tha Strakosha.
Burimi ATSH