
Malaj në Uashington: Menaxhimi i borxhit dhe reformat ekonomike forcojnë besimin e investitorëve
Ministri i Financave Petrit Malaj, i cili ndodhet në Uashington D.C., ku po merr pjesë në takimet vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore (BB), zhvilloi një sërë takimesh me përfaqësues të institucioneve financiare ndërkombëtare dhe agjencive ndërkombëtare të vlerësimit financiar, si JP Morgan, Moody’s dhe Standard & Poor’s.

Ministri i Financave, Petrit Malaj, i cili ndodhet në Uashington D.C., ku po merr pjesë në takimet vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore (BB), zhvilloi një sërë takimesh me përfaqësues të institucioneve financiare ndërkombëtare dhe agjencive ndërkombëtare të vlerësimit financiar, si JP Morgan, Moody’s dhe Standard & Poor’s.
Në këto takime, ministri prezantoi progresin ekonomik që Shqipëria ka shënuar vitet e fundit, duke vënë në dukje reformat strukturore të ndërmarra nga qeveria shqiptare në drejtim të konsolidimit fiskal, menaxhimit të qëndrueshëm të borxhit publik dhe forcimit të klimës së investimeve.
“Reformat e ndërmarra në sektorin financiar dhe angazhimi ynë për mirëmenaxhimin e borxhit publik kanë rritur besueshmërinë e Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare dhe janë një sinjal i qartë për investitorët e huaj”, u shpreh ministri Malaj.
Takimet shërbyen si një platformë për të thelluar bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë, si dhe për të prezantuar potencialet që ofron ekonomia shqiptare për investime dhe zhvillim të mëtejshëm në rajon.
Ministri Malaj do të vijojë pjesëmarrjen në sesionet e organizuara në kuadër të takimeve vjetore të FMN-së dhe Bankës Botërore, ku janë të pranishëm përfaqësues të lartë të vendeve anëtare, institucioneve financiare ndërkombëtare dhe sektorit privat.
Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit të kreditit Moody’s Ratings, në raportin e saj të publikuar më 7 tetor 2025, rikonfirmoi vlerësimin afatgjatë të kreditit sovran të Shqipërisë në nivelin “Ba3” me perspektivë të qëndrueshme.
Sipas Agjencisë, Shqipëria ka ruajtur stabilitetin makroekonomik përballë tri goditjeve të mëdha që kanë prekur ekonominë, tërmeti, pandemia dhe kriza energjetike, duke demonstruar qëndrueshmëri dhe aftësi për rimëkëmbje të shpejtë.
Moody’s parashikoi një rritje reale të PBB-së prej 3,7% në vitin 2025 dhe 3,5% në 2026, e nxitur nga konsumi i brendshëm dhe investimet në turizëm dhe energji. Sektori i turizmit pritet të vijojë të jetë një nga shtytësit kryesorë të rritjes.
Në planin fiskal, Agjencia vlerësoi uljen e borxhit publik nga 74,1% e PBB-së në vitin 2021 në 54,2% në vitin 2024, me pritshmëri për një rënie të mëtejshme në 53,5% në vitin 2026.
Moody’s theksoi angazhimin për respektimin e rregullave fiskale të Ligjit Organik të Buxhetit, për uljen graduale të borxhit drejt objektivit 45%.
Moody’s vlerësoi gjithashtu që sektori financiar shqiptar është i kapitalizuar dhe likuid, me rreziqe nën kontroll.
Burimi ATSH