
Komunitetet fetare, fushata për promovimin e harmonisë ndërfetare
Në kuadër të projektit “Shpërndarje mesazhesh për udhëheqësit fetarë dhe të komunitetit në Shqipëri”, Qendra e Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, në partneritet me Këshillin Ndërfetar të Shqipërisë (KNFSH) dhe Hedayah-n, organizoi sot aktivitetin prezantues të katër fushatave të komunikimit, zhvilluar me mbështetjen e Programit të Bashkimit Evropian për Forcimin e Rezistencës ndaj Ekstremizmit të Dhunshëm (BE-STRIVE II).

Në kuadër të projektit “Shpërndarje mesazhesh për udhëheqësit fetarë dhe të komunitetit në Shqipëri”, Qendra e Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, në partneritet me Këshillin Ndërfetar të Shqipërisë (KNFSH) dhe Hedayah-n, organizoi sot aktivitetin prezantues të katër fushatave të komunikimit, zhvilluar me mbështetjen e Programit të Bashkimit Evropian për Forcimin e Rezistencës ndaj Ekstremizmit të Dhunshëm (BE-STRIVE II).
Aktiviteti u mbajt në Tiranë dhe mblodhi së bashku përfaqësues nga institucionet shtetërore, komunitetet fetare, organizatat e shoqërisë civile, të rinj, gra dhe media, duke përcjellë një mesazh të fuqishëm bashkëpunimi, respekti dhe harmonie ndërfetare.
Në hapje të aktivitetit, të pranishmit u përshëndetën nga Lejdi Dervishi, Koordinatore Kombëtare kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, Davide Casale, përfaqësues i Bashkimit Evropian, prof. asoc. dr. Genti Kruja nga Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë (KNFSH) dhe Irene Belmonte, menaxhere e Programit të Bashkimit Evropian (BE) për Forcimin e rezistencës ndaj ekstremizmit të dhunshëm (STRIVE në nivel global), Hedayah.
Të gjithë theksuan rëndësinë e dialogut ndërfetar dhe fuqizimit të udhëheqësve fetarë si zëra të paqes dhe mirëkuptimit në komunitet.
Lejdi Dervishi, Koordinatore Kombëtare kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, u shpreh në fjalën e saj se, “ky është një moment domethënës në përpjekjet tona të përbashkëta për të forcuar reziliencën ndaj ekstremizmit të dhunshëm në vendin tonë”.
Dervishi vuri theksin tek prezantimi i 4 produkteve mediatike, të cilat nënvizoi ajo, “janë rezultatet konkrete të një procesi intensiv dhe gjithëpërfshirës, ku liderët fetar, përfaqësues të komuniteteve dhe të rinjtë kanë bashkuar forcat për të ndërtuar mesazhe pozitive, gjithpërfshirëse dhe të fuqishme”.
Ajo nënvizoi se, “vetëm përmes bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkomunitar mund të ndërtojmë një mjedis më të sigurt dhe më të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët tanë, veçanërisht për brezat e rinj”.
Ndërsa, Davide Casale, përfaqësues i Bashkimit Evropian theksoi në fjalën e tij se, Shqipëria është një vend i veçantë sa i përket harmonisë që ekziston midis komuniteteve fetare.
Ai shtoi se, kjo është një vlerë dhe diçka e rrallë në këto ditë.
“Shqipëria duhet të jetë krenare për këto arritje dhe njëherësh e motivuar për të vijuar në këtë drejtim”, nënvizoi Casale.
Prof. asoc. dr. Genti Kruja, nga Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë (KNFSH), u shpreh në fjalën e tij se, “nëpërmjet këtij programi për shpërndarje të mesazheve për udhëheqësit fetarë dhe të komunitetit në Shqipëri synohet të ndërtohen ura të reja komunikimi me te rinjtë, me komunitetin dhe me publikun e gjerë, duke përcjellë mesazhe pozitive që kundërshtojnë, dhunën, ekstremizmin dhe gjuhën e urrejtjes e çfarëdolloji qoftë ajo”.
Ndërsa, Irene Belmonte, menaxhere e Programit të Bashkimit Evropian (BE) për Forcimin e rezistencës ndaj ekstremizmit të dhunshëm (STRIVE në nivel global), Hedayah, theksoi në fjalën e saj se, që prej 2017-ës në kuadër të programit STRIVE janë themeluar 11 projekte në bashkëpunim me komunitetet fetare dhe Qendrën e Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm.
Ajo vuri theksin tek shembulli pozitiv i Shqipërisë dhe punës së Qendrës së Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm.
Gjatë aktivitetit u prezantua katër fushatat për shpërndarje mesazhesh, të krijuara nga udhëheqësit fetarë dhe të komunitetit, të cilat trajtojnë tema që lidhen me bullizmin, rolin e fesë në parandalimin e ekstremizmit, bashkëjetesën ndërfetare dhe rezistencën përballë narrativave përçarëse.
Nëpërmjet videove, dëshmive personale dhe podcast-eve, pjesëmarrësit ndanë përvoja të frymëzuara mbi mënyrat se si komunikimi pozitiv dhe besimi i përbashkët tek vlerat njerëzore mund të shërbejnë si ura bashkimi ndërmjet komuniteteve.
Përfaqësues të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Kishës Katolike, Kishës Ortodokse Autoqefale dhe Vëllazërisë Ungjillore ndanë fushatat e tyre, duke nënvizuar rolin e udhëheqësve fetarë në ndërtimin e rezistencës komunitare dhe forcimin e kulturës së paqes.
Në përfundim të aktivitetit, u prezantua strategjia për shpërndarjen e fushatave në media dhe rrjete sociale, me synimin që mesazhet pozitive të arrijnë te një audiencë sa më e gjerë në mbarë vendin.
Në aktivitet u paraqit një panoramë e përgjithshme e strategjisë së ardhshme gjithëpërfshirëse për planifikimin dhe blerjen e hapësirës mediatike në kuadër të përcjelljes së katër fushatave për shpërndarjen e mesazheve (online/offline) me qëllim arritjen e një mbulimi prej 80% të popullatës së përgjithshme shqiptare të moshës 18-55 vjeç, me fokus më të lartë te të rinjtë e moshës 18-24 vjeç.
Atmosfera e ngrohtë dhe bashkëpunuese e këtij aktiviteti pasqyroi edhe një herë frymën unike të harmonisë fetare në Shqipëri, e cila mbetet një model i çmuar për rajonin dhe më gjerë.
Në vitin 2024, Qendra e Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, në partneritet me Këshillin Ndërfetar të Shqipërisë (KNFSH) dhe Hedayah-n, Qendrën e Ekselencës për Luftën kundër Ekstremizmit dhe Ekstremizmit të Dhunshëm, ndërmori projektin “Shpërndarje mesazhesh për udhëheqësit fetarë dhe të komunitetit në Shqipëri” me mbështetjen e Programit të financuar nga Bashkimi Evropian për Forcimin e rezistencës ndaj ekstremizmit të dhunshëm (BE-STRIVE II).
Projekti synon të mbështetë udhëheqësit fetarë dhe të komunitetit për të zhvilluar përmbajtje dhe për të prodhuar video me metrazh të shkurtër duke përdorur telefonat inteligjentë dhe/ose mjete të tjera, nëpërmjet të cilave do të krijojnë dhe promovojnë mesazhe dhe kundërmesazhe/kundërnarrativa/ideologji alternative/pozitive dhe do të forcojnë rezistencën e grupeve të cenueshme ndaj propagandës ekstremiste.
Nëpërmjet disa fazave të trajnimit praktik dhe mentorimit të vazhdueshëm nga afër, projekti i ka pajisur udhëheqësit fetarë dhe të komunitetit me mjetet e duhura të shpërndarjes së mesazheve dhe teknikat e komunikimit që u bëjnë të mundur krijimin e mesazheve dhe përmbajtjeve të rëndësishme dhe bindëse për platformat e mediave sociale dhe jashtë internetit në komunitetet përkatëse, duke u mbështetur tek udhëzimi hap pas hapi nga Hedayah-u për hartimin e mesazheve dhe kundërmesazheve/kundërnarrativave alternative/pozitive.
Si rezultat i trajnimit praktik dhe mentorimit nga afër, udhëheqësit fetarë dhe të komunitetit të përfshirë në projekt kanë hartuar dhe prodhuar katër fushata për shpërndarje mesazhesh. Këto fushata, pas nisjes së tyre, do të shpërndahen në mënyrë aktive në media për 6 javë.
Burimi ATSH