
Ibrahimaj: Sektori IT dhe ai energjetik, prioritet për punësim dhe rritje ekonomike
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj theksoi sot rëndësinë strategjike të zhvillimit të sektorëve kyç për tërheqjen e investimeve dhe rritjen ekonomike të qëndrueshme në rajon.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj theksoi sot rëndësinë strategjike të zhvillimit të sektorëve kyç për tërheqjen e investimeve dhe rritjen ekonomike të qëndrueshme në rajon.
Në fjalën e saj, në panelin “Mundësitë e investimeve në Ballkanin Perëndimor në kontekstin e ri gjeopolitik”, i cili po mbahet në kuadër të forumit dyditor të investimeve BE – Ballkani Perëndimor, në Tiranë, ministrja Ibrahimaj vuri në dukje se vendet e Ballkanit Perëndimor përballen me sfida të ngjashme dhe ndajnë objektiva të përbashkëta, veçanërisht në drejtim të zhvillimit të sektorit energjetik.
Sipas saj, ky sektor jo vetëm që ka rëndësi për sigurinë energjetike të rajonit dhe të gjithë Evropës, por gjithashtu është i lidhur drejtpërdrejt me krijimin e vendeve të reja të punës dhe uljen e kostos së energjisë.
Ministrja theksoi rëndësinë e kuadrit ligjor dhe rregullator në funksion të rritjes së produktivitetit dhe tërheqjes së investimeve, duke nënvizuar se këto mekanizma nuk mund të funksionojnë në mungesë të burimeve njerëzore të kualifikuara.
“Pjesa më e rëndësishme, aspekti më thelbësor që duhet trajtuar, janë burimet njerëzore. Ligjet, rregulloret dhe institucionet nuk qëndrojnë të pavarura në vetvete, nëse nuk investojmë te burimet njerëzore, nuk do të jemi në gjendje të arrijmë aty ku duhet dhe të ndjekim atë që jemi të gatshëm të bëjmë: programin tonë të përbashkët, agjendën tonë të përbashkët që është integrimi në Bashkimin Evropian. E njëjta gjë vlen për të gjithë Planin e Rritjes që kemi hartuar për të arritur këtë integrim. Nëse nuk investojmë te burimet njerëzore, nuk do të arrijmë dot. Ato janë pjesa kryesore”, deklaroi ministrja.
Ibrahimaj ndaloi veçanërisht te sektori i teknologjisë së informacionit dhe telekomunikacionit, i cili sipas saj, ka shënuar një rritje të ndjeshme në vitet e fundit, me paga që janë rritur me mbi 100%.
Ajo e konsideroi këtë sektor shumë atraktiv, por paralajmëroi se zhvillimi i tij kërkon kapital njerëzor të specializuar.
Kjo, sipas saj, lidhet ngushtë edhe me sfidat demografike dhe emigracionin, të cilat rrezikojnë të përkeqësohen nëse nuk krijohen kushte më të mira pune dhe paga konkurruese në vend.
Ministrja nënvizoi nevojën për të gjetur një ekuilibër mes tërheqjes së investimeve dhe ruajtjes së avantazheve konkurruese të vendit, pa u bazuar vetëm te kostoja e ulët e punës.
“Kemi këtë problem, jemi të përballur me një sfidë demografike dhe përfshirja e burimeve njerëzore në sektorin e teknologjisë së informacionit, një sektor gjithmonë në lëvizje, mund të ndikojë më tej në emigracion dhe të krijojë probleme të tjera demografike në vend. Duhet të përqendrohemi te aspekti i emigracionit, sepse emigrimi lidhet ngushtë me pagat. Europa ofron paga më të larta dhe nuk mund t’i detyrosh njerëzit të qëndrojnë në vend. Prandaj, duhet të investohet në mënyrë që të rriten pagat. Megjithatë, një nga avantazhet konkurruese të Shqipërisë ka qenë kostoja më e ulët dhe paga më të ulëta. Në diskutimet që bëjmë për të frenuar emigracionin, për të krijuar vende më të mira pune dhe paga më të larta, duhet të gjejmë mënyrën që të jemi konkurrues dhe atraktivë për investime, pa u mbështetur te krahu i lirë i punës”, deklaroi Ibrahimaj.
Ibrahimaj theksoi se zhvillimi i sektorëve të ndryshëm duhet të fokusohet tek inovacioni dhe teknologjia, që krijojnë vende pune cilësore dhe rrisin kapacitetet e punonjësve si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat.
Ibrahimaj përmendi gjithashtu rëndësinë e zhvillimit të bujqësisë, turizmit, energjetikës dhe sektorëve të tjerë, të cilët po shfaqin potencial të madh rritjeje.
Ministrja njëkohësisht theksoi se projektet e ndërlidhjes dhe investimet në porte dhe marina janë shembuj konkretë të nevojës për burime njerëzore të kualifikuara dhe një strategji të qartë zhvillimi.
Më tej, ministrja u ndal te rëndësia e transformimeve të gjelbra dhe ekonomisë rrethore, duke theksuar se zhvillimi i qëndrueshëm nuk mund të arrihet pa një menaxhim efikas të mbetjeve, burimeve natyrore dhe pa ndërtime që shtojnë vlerë në ekonomi.
Ibrahimaj vuri në dukje se Shqipëria duhet të ndërtojë një model zhvillimi që krijon vlerë në vend, pa u varur nga përdorimi intensiv i burimeve, në mënyrë që të jetë konkurruese dhe të kontribuojë në mënyrë aktive në zhvillimin e Evropës.
“Duhet të sigurohemi të ndërtojmë vlera, të shtojmë vlera në vend, nëse duam të jemi konkurrues dhe t’i japim vlerë Evropës”, deklaroi Ibrahimaj.
Burimi ATSH