
Gonxhja: Mbi 10 milionë vizitorë të huaj në janar-shtator
Shqipëria është shndërruar në një ofertë turistike të turizmit gjithëvjetor, me atraksione të të gjitha llojeve, nga kultura, arti, historia apo kulinaria.

Shqipëria është shndërruar në një ofertë turistike të turizmit gjithëvjetor, me atraksione të të gjitha llojeve, nga kultura, arti, historia apo kulinaria.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja bëri të ditur sot në një postim në rrjetet sociale se “nga janari në shtator 2025, Shqipëria ka mirëpritur 10,228,686 vizitorë, duke shënuar një rritje prej 6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024”.
“Ky trend pozitiv dëshmon për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të turizmit dhe për angazhimin e përbashkët në promovimin e Shqipërisë si një destinacion mikpritës dhe gjithnjë e më tërheqës”, theksoi Gonxhja.
Nga alpet te vija e gjatë bregdetare, Shqipëria ofron një paketë të plotë turistike për çdo tipologji turistësh, ndërsa çdo vit po zgjerohet po ashtu edhe harta e vendeve nga ata vijnë.
Turistët kanë zgjedhur Shqipërinë jo vetëm për plazhet e bukura dhe klimën e favorshme, por edhe për zonat malore me peizazhe natyrore mbresëlënëse, qytetet e lashta me vlerë historike e kulturore si dhe mikpritjen dhe kuzhinën tradicionale.
Sot turizmi është kthyer në aktivitet gjithëvjetor, jo vetëm që po gjeneron të ardhura të konsiderueshme për ekonominë, por gjithashtu po promovon Shqipërinë si një destinacion të qëndrueshëm dhe gjithëvjetor.
/Burimi ATSH