
Ndeshja kundër Serbisë, Silvinjo: Përballojmë presionin, shkojmë për fitore
Të shtunën më 11 tetor në orën 20:45, kombëtarja shqiptare e futbollit luan kundër Serbisë në Leskovac, sfidë kjo e vlefshme për Grupin K kualifikues të Kupës së Botës.

Të shtunën më 11 tetor në orën 20:45, kombëtarja shqiptare e futbollit luan kundër Serbisë në Leskovac, sfidë kjo e vlefshme për Grupin K kualifikues të Kupës së Botës. Përballja është si një finale, pasi vendos shumë për vendin e dytë në grup, që do të thotë play-off për në Botëror.
Trajneri i Kombëtares, Silvinjo tha për mediet se Serbia është një skuadër e fortë dhe me lojtarë me përvojë, por sipas tij ne duhet të përgatitemi gjithmonë për të fituar. Më tej, trajneri tha se është një ndeshje e rëndësishme dhe gjithçka mund të ndodhë.
“Ndaj Serbisë është një ndeshje e fortë dhe e hapur. Serbia është një skuadër e fortë teknikisht, ka lojtarë me shumë përvojë. Fizikisht janë të fuqishëm. Sipas meje, ne duhet të përgatitemi gjithmonë për të fituar. Edhe kur shkon në “Uembli”, duhet të përgatitesh për të fituar. Nëse nuk fiton, të paktën të barazosh. Në radhë të parë, ndeshja përgatitet për të fituar.
“Me kundërsulm, me zotërim të topit ose me goditje standarde, apo duke bërë zëvendësime gjatë lojës. Kështu përgatitet një ndeshje për t’u fituar. Është një ndeshje e rëndësishme, në të cilën mund të ndodhë gjithçka. Duhet të përgatitem mirë, të shkojmë atje, të luajmë 90 minuta, dhe të provojmë shanset tona. Në këtë ndeshje, siç jua thashë, nuk më shqetëson renditja. Ata janë të fortë. Padyshim, por edhe ne jemi të fortë. Ne e kemi treguar këtë. Duhet vlerësuar fakti që kemi ardhur në këtë moment, duke pasur mundësi për t’u kualifikuar për në Botëror.
“Kjo është një ndeshje ku ne duhet të bëjmë minimumin e mundshëm të gabimeve. Në futboll mund të bësh gjëra të mira, dhe të gabosh, por nëse gabon minimalisht, edhe shanset për të pësuar gol janë minimale. Nga ana tjetër, duhet të provojmë që ta vendosim kundërshtarin në pozitë të vështirë”, tha Silvinjo për Real Story.
Trajneri Silvinjo tha ndër të tjera se skuadra jonë është ndryshe nga dy vite më parë dhe se janë një skuadër që marrin më pak gola, të organizuar dhe që mbrohen shumë mirë.
“Për mua, është e sigurt që e përballojnë presionin. Jam shumë i lumtur me të gjithë lojtarët që kemi thirrur që nga fillimi. Që nga Varshava, kur ishte një skuadër e ndryshme, duke arritur tek skuadra e sotme. Pas dy vitesh e gjysmë, apo diçka më shumë, sot kemi një skuadër tjetër. Nuk them dot nëse është më e mirë apo më e keqe, por është e ndryshme. Unë si trajner jam përpjekur që ta përmirësoj ekipin. Jemi një skuadër që merr pak gola. Jemi të organizuar, bëjmë pak ndërhyrje të gabuara, një ekip që mbrohet shumë mirë, dhe pastaj kundërsulmon. Kemi ndryshuar edhe lidhur me zotërimin e topit. Lojtarët tanë janë të aftë, thuajse të gjithë luajnë në elitë. Ata janë mësuar me presionin, me stadiumin, me kundërshtarët e vështirë”, tha ai.
Burimi ATSH