
Mbi 6 mijë vizitorë e biologë të huaj në muzeun natyror të Divjakës, Hila: Duhet një hapësirë më e madhe
Vizitorët vendas, por dhe të huaj që zgjedhin të vizitojnë parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta nuk largohen pa vizituar koleksionin e rrallë të fluturave dhe specieve të tjera të ekspozuara në Muzeun Natyror.

Vizitorët vendas, por dhe të huaj që zgjedhin të vizitojnë parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta nuk largohen pa vizituar koleksionin e rrallë të fluturave dhe specieve të tjera të ekspozuara në Muzeun Natyror.
Në këtë muze unik për vendin tonë vizitorët shijojnë botën magjike të fluturave, insekteve, molusqeve dhe të disa specieve të rralla që jetojnë në Divjakë-Karavasta.
Administratori i guidës turistike Divjakë-Karavasta, si dhe krijuesi i këtij muzeu Altin Hila, tha për ATSH-në se “nga janari deri në fund të shtatorit ky muze u vizitua nga rreth 6700 vizitorë, si nxënës, studentë dhe turistë vendas e të huaj. Pasurimi i koleksionit sa vjen dhe rritet me numër speciesh të reja dhe të rralla”.
Sipas tij, ky muze po tërheq gjithnjë e më shumë edhe interesin e biologëve të huaj të pasionuar pas natyrës.
“Në muze çdo vit, përveç vizitave në parkun Divjakë-Karavasta vijnë edhe biologë nga vende të ndryshme, të cilët ndalen edhe në muze, ku tregojnë interes për të mësuar më shumë rreth specieve që kam në koleksionin tim”, tha Hila.
Hila tregon se Divjakë-Karavastaja është parku me numrin më të madh të specieve në rang vendi.
“Në koleksionin tim ndodhen rreth 520 fluturakë, flutura dite, flutura nate, pilivesa dhe krahëkërcorët, të cilat janë vetëm specie nga Divjakë-Karavasta. Ky park përmban rreth 80% të specieve kombëtare”, tha Hila.
Një ndër problemet që Hila has në punën e përditshme është edhe zhdukja e specieve.
Hila u shpreh se “në epokën që po jetojmë, jemi në një situatë kritike, alarmante me praninë e zhdukjes së specieve. Sot në natyrë fatkeqësisht qarkullojnë 5-6 specie flutura dite nga 125 të tilla që kam në koleksion. Kjo është një kambanë alarmi”.
Gjithashtu, Hila ngre shqetësimin për vendosjen e këtij muzeu në një hapësirë më të madhe duke u shprehur se për këtë prej kohësh u është drejtuar me një kërkesë autoriteteve vendore e qendrore.
“Për mua problem është ambienti vogël i muzeut, ku nuk mund të ekspozoj pjesën dërrmuese të konservimit. Prej vitesh kam kërkuar nga autoritetet vendore e qendrore për dhënien e një hapësire ku të mund të krijojmë një ambient dinjitoz që ta nderojmë Divjakë-Karavastanë, dhe përse jo, gjithë Shqipërinë sepse ambiente të tilla janë vlerë kombëtare apo pasaporta e një vendi. Pra për sa kohë që ky ambient është i kufizuar edhe numri i vizitorëve do të jetë i kufizuar”, tha Hila.
Në Divjakë-Karavasta jetojnë 90% e specieve kombëtare. Mes specieve të ekspozuara në muze është edhe flutura monarku afrikan (Danaus Krispus), e cila emigron nga Afrika dhe vjen në Divjakë, duke u kthyer në atraksion dhe simbol për zonën, ashtu si pelikani apo flamingot.
Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është një zonë e mbrojtur që përbëhet nga ekosisteme komplekse, shumë të pasura në biodiversitet dhe burime natyrore.
Kjo zonë strehon përqendrimin më të lartë të shpendëve ujore rreth 51 000 individë dhe rreth 500 çifte folenizues në Shqipëri. Ndërsa 89 specie të ndryshme që përfaqësojnë grupet e molusqeve, insekteve, amfibëve, zvarranikëve, zogjve dhe gjitarëve, të pranishme në zonën e parkut, janë konsideruar si të kërcënuara në Shqipëri.
Burimi ATSH